Tejkaluan shpenzimet në fushatën e 25 prillit, KAS ndëshkon partitë - cilat janë subjektet që Komisioni gjobiti me nga 5 milionë lekë

Shqipëria

Tejkaluan shpenzimet në fushatën e 25 prillit, KAS ndëshkon partitë - cilat janë subjektet që Komisioni gjobiti me nga 5 milionë lekë

Më: 26 janar 2023 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve ka gjobitur disa parti politike në Shqipëri. Sipas KAS-it, disa nga partitë politike janë sanksionuar me nga 500 mijë lekë të reja, pasi tejkaluan shpenzimet në fushatën zgjedhore të 25 prillit 2021.

Ky vendim vjen pasi sipas argumentimit të KAS-it, partitë politike tejkaluan shpenzimet për fushatën zgjedhore të 25 prillit. Gjobitja për partitë politike është bërë me propozim të kreut të KQZ-së, Ilirian Celibashi. PS-ja dhe PD-ja dhe disa parti të tjera janë gjobitur me 500 mijë lekë të reja, ose 5 milionë lekë të vjetra. Partitë që janë gjobitur me 500 mijë lekë: Partia Socialiste; Partia Demokratike; Lëvizja për Zhvillim Kombëtar; Lëvizja e Legalitetit; Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë; Nisma Thurje; Bindja Demokratike; Partia Socialdemokrate; Balli Kombëtar; Balli Kombëtar Demokrat. Ndërkohë, Partia Socialiste është sanksionuar edhe me 5 milionë lekë të reja, në një sanksionim të dytë.

“Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 5.000.000 (pesë milionë) lekë, sipas nenit 173, pika 9, të ligjit 10019, datë 29.12.2008 ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar’ për subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë. Komisioneri ka kërkuar vendosjen e sanksionit administrativ ndaj subjektit zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë për tejkalim të kufirit maksimal të shpenzimeve. KAS-i çmon se kërkesa e Komisionerit duhet të pranohet dhe ndaj subjektit të vendoset sanksioni në masën 5 (pesë) milionë lekë, për shkak se është vlerë më e lartë se sa diferenca midis vlerës së shpenzuar dhe vlerës maksimale të lejuar”, thuhet në njoftim.

Më tej, shpjegohet se tipologjia e shkeljeve të konstatuara nga Komisioneri për 14 subjekte zgjedhore dhe 1 kandidat, për të cilët kërkon vendosjen e sanksionit administrativ përmbledh mosdorëzimin e raporteve të të ardhurave dhe shpenzimeve nga një numër kandidatësh të subjekteve, mosbashkëpunimin ose refuzimin për të bashkëpunuar me KQZ-në lidhur me raportimin, mungesën e dokumentacionit shoqërues për shpenzimet, raportimin jo sipas formatit të standardizuar, si dhe kapërcimin e limiteve ligjore në kryerjen e shpenzimeve dhe pranimin e donacioneve.

“Palët e interesuara pjesëmarrëse në seancë ngritën dy pretendime kryesore për të justifikuar shkeljet e konstatuara, pretendimin se mungesa e raportimeve për kandidatët vjen për shkak se kandidatët nuk kanë pasur shpenzime (në rastin e partisë politike ‘Nisma Thurja’, për shkak se nuk kanë kryer fushatë), si dhe pretendimin se për partitë pjesëmarrëse në koalicion nuk mund të vendosen sanksione administrative, sa kohë që detyrimi për raportim i takon partisë udhëheqëse të koalicionit. Trajtimi i këtyre pretendimeve ka shumë rëndësi për zbatimin e rregullt dhe uniform të Kodit Zgjedhor. Fushata zgjedhore është e lidhur pazgjidhshmërisht me kryerjen e shpenzimeve për veprimtaritë në fushatë.

Të gjitha veprimtaritë kanë kosto, e cila duhet të evidentohet dhe të raportohet si shpenzim si kur mbulohet nga vetë kandidati ose subjekti zgjedhor nga të ardhurat e veta, si kur mbulohet nga financimi buxhetor, si kur mbulohet nga donacionet në të holla ose në natyrë. Kodi Zgjedhor ka adoptuar një mekanizëm pariteti proporcional dhe mbështetjeje financiare për subjektet elektorale, me qëllimin që të lehtësojë barrën e shpenzimeve dhe ta bëjë garën sa më të barabartë. Por, që të ruhet barazia në konkurrim duhet që kontrolli dhe mbikëqyrja e zbatimit të rregullave për financimin e fushatës të jetë i hollësishëm dhe i rreptë. Për këtë arsye ka shumë rëndësi që raportimi, rregullshmëria, saktësia dhe vërtetësia e tij të jenë të garantuara dhe të pacenueshme”, thuhet në njoftim.

Sipas KAS shkeljet në raportim, fshehja e të ardhurave dhe shpenzimeve, cenimi i kufijve ligjorë lidhur me masën e të ardhurave dhe shpenzime përbëjnë, në këndvështrim të Kodit Zgjedhor, kundërvajtje të rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat