Deputeti demokrat del kundër PD, ‘mbron’ Ramën: S’po them që kryeministri ka marrë çantën me lekë dhe ia dha McGonigal…!

Shqipëria

Deputeti demokrat del kundër PD, ‘mbron’ Ramën: S’po them që kryeministri ka marrë çantën me lekë dhe ia dha McGonigal…!

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 20:04
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, e konsideron një mashtrues ish zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal, i cili sipas tij erdhi në Shqipëri për të bërë ca lekë.

I ftuar në ‘Kontrast’ përballë gazetarëve Denis Minga dhe Lorenc Vangjeli, Sula tha se deri tani konfirmohet se Rama ka vepruar në mënyrë të gabuar dhe është mashtruar nga ish agjenti amerikan, por nuk e përjashtoi mundësinë që fakte të reja të dalin.

“Unë nuk kam dalë kurrë t’i them dikujt hajdut. Kjo është kultura ime që flas me prova.  Edhe në rastin konkret unë nuk po them që Rama ka marrë çantën me lekë dhe ia ka dhënë atij.  Por mënyra se si ka vepruar është totalisht e gabuar.

Dhe ka ardhur ai miku amerikan këtu dhe ‘ka shi lamë këtu’, me kryetarë bashkie, prokurorë, gjyqtarë, politikanë biznesmenë.  Hollë-hollë ai ka kuptuar që ka politikanë hajdut, gjyqtarë politikë. Një mashtrues që erdhi dhe shfrytëzoi rrethanat e këtij vendi për të bërë para”, tha deputeti demokrat, Dashnor Sula, duke qenë kështu jo në ‘sinkron’ me kolegët e tij opozitarë që kanë akuzuar Ramën se ka qenë ai që ka korruptuar McGonigal për të shkatërruar parti politike të opozitës.

“Erdhi këtu mashtroi, mori ca lekë, premtoi se do t’i bjerë opozitës por nuk realizoi asgjë se atje kishte filtra të tjerë. Zotëria ka ardhur disa herë këtu dhe duke shfrytëzuar takimin me Ramën, qasjen me Ramën, fotografitë me Ramën, Ai ka bërë namin. Ka mbledhur para. Ai ka pasur aktivitet disavjeçar në Shqipëri. Një ish sigurims nga Tropoja, këshilltari i kryeministrit, ai tjetri kryetari i bashkisë etj”, tha deputeti.

I pyetur nga gazetari Minga se pse nuk ka ende një qëndrim të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, deputeti tha shkurt se “Kur të flasin ata ose pastrohet Edi Rama, ose fundoset Edi Rama”. Dashnor Sula komentoi edhe kaosin e krijuar sot në Kuvend.

“Kërkesa për interpelancë nuk delegohet. Kryeministri nëse nuk do të kishte kohë mund të kishte njoftuar  dhe ta shtynim për javën tjetër.  Më i forti duhet të jetë më i arsyeshëm, më tolerant”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat