Tërmeti në Turqi, ekipi shqiptar shpëton fëmijën pesë vjeç dhe nxjerr nga rrënojat gjashtë trupa të pajetë

Shqipëria

Tërmeti në Turqi, ekipi shqiptar shpëton fëmijën pesë vjeç dhe nxjerr nga rrënojat gjashtë trupa të pajetë

Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 15:12
Tërmeti në Turqi

Trupat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë të vendosura në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi kanë arritur të shpëtojnë një fëmijë pesë vjeç dhe kanë nxjerrë nga rrënojat gjashtë trupa të pajetë.

Lajmin e bënë të ditur Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një postim në Facebook ku ka shpërndarë edhe video nga operacioni i shpëtimit të ekipit nga Shqipëria.

“Në sfidë me rrënojat, motin e ftohtë e lodhjen, trupat tanë të FA janë duke punuar prej orësh, pa ndërprerje duke shpëtuar jetën e një fëmije 5 vjeç dhe duke nxjerrë nga rrënojat 6 trupa të pajetë në zonën e Mallatjas, në Turqi”, tha Peleshi.

“Skuadrës së parë sapo i janë bashkuar edhe forcat të tjera nga Shqipëria në këtë betejë për jetën, ndërkohe në dispozicion për të shtuar mbështetjen”, shtoi ai.

Ndërkohë, numri i viktimave nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë është rritur në 11 mijë, derisa ekspertët paralajmërojnë që kjo shifër do të rritet akoma.

Deri më tani nuk dihet numri i saktë i qytetarëve sirianë që humbën jetën nga tërmeti, për faktin se disa zona kontrollohen nga rebelët dhe ekipet e shpëtimit po hezitojnë të nisen atje, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i cili po viziton zonat e prekura turke nga tërmeti, ka njoftuar se deri më tani kanë humbur jetën 8754 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat