“Fike plehrën!”/ “Duan ta kthejnë qytetin në kosh ndërkombëtar plehrash”, Boçi thirrje qytetarëve të Elbasanit: Inceneratori duhet të fiket menjëherë

Shqipëria

“Fike plehrën!”/ “Duan ta kthejnë qytetin në kosh ndërkombëtar plehrash”, Boçi thirrje qytetarëve të Elbasanit: Inceneratori duhet të fiket menjëherë

Më: 2 maj 2023 Në ora: 17:02
Luçiano Boçi

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Elbasanit në zgjedhjet e 14 majit, Luçiano Boçi, përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur se ndotjes së këtij qyteti, pas metalurgjikut i është shtuar industria e re që falë politikave korruptive kursen energji duke mos ndezur filtrat dhe kështu merr jetë njerëzish.

Boçi shtoi se qeveria Rama ka “ngulur” në Elbasan një incenerator me planin që ta kthejë qytetin në kosh ndërkombëtar plehrash dhe që sipas tij kur ndizet e kthen Elbasanin në një krematorium.

Elbasani e kishte një ndotje historike. Metalurgjiku – me depozitimet nëntokësore të metaleve të rënda dhe me pluhurin e një shkretëtire industriale të mbetur rrënojë – ishte dhe është një kërcënim për shëndetin. Sëmundjet profesionale, gjymtimet e pakthyeshme të mushkërive, talasemia minor e shpërndarë masivisht, trepanocitoza dhe anemia, sëmundjet gjenetike etj., të gjitha flasin për urrejtjen me të cilën sistemi ndëshkoi Elbasanin.

Postimi i plotë:

Kësaj ndotjeje historike iu shtua industria e re, e cila falë politikave korruptive dhe zarfit nën dorë (që e paguan ende), kursen energji duke mos ndezur filtrat dhe kështu merr jetë njerëzish.

Sot, industria si kërcënim mjedisor – shëndetësor vjen e katërta pas inceneratorit, trafikut dhe ndërtimit.
Përvijues të së njëjtës filozofi të urrejtjes, qeveria Rama nguli në Elbasan një Incenerator me planin që ta kthejë qytetin në kosh ndërkombëtar plehrash – pikë pritjeje të importit të mbeturinave. Inceneratori i Elbasanit ishte Monstrumi i parë i një plani mjedisor makabër.
E mira është se e vërteta dalëngadalë po zbardhet. E keqja është se autorët, duke qenë në pushtet, duan të mbrohen duke shtyrë përpara një plan ku Elbasani konsiderohet ekologjikisht i vdekur dhe krejt i pavlerë.

Ndezja e Inceneratorit në kushtet siç është, e bën planin e tyre një realitet. Ata e dinë se inceneratori shpërndan gjerësisht kancer, si me tymin e djegies ashtu edhe me hirin e zjarrit. Ne e marrim këtë kancer nga ajri dhe nga ujërat, por tashmë edhe nga bimët e mbjella në Jagodinë, Kuqan dhe nga fusha më pjellore që kemi.

Kur inceneratori ndizet, Elbasani është një krematorium dhe ne jemi të dënuarit e tij. Tani ai është ndezur për fushatë. Dhe ne jemi në një rrezik real për jetën dhe shëndetin!

Paturpësisht, njeriu që vjen t’i fyejë elbasanllinjtë në shtëpinë e tyre, ka guximin që ta ndezë këtë armë të shkatërrimit në masë si shenjë të punës së mirë që ka bërë në shfarosjen e tyre. Në fakt është i njëjti që ka detyruar mbi 30% të popullsisë të ikin nga sytë këmbët, nga Shqipëria dhe nga Elbasani.

Logjika e veprimit të tij për shfarosjen e shqiptarëve, në Elbasan është dëshmuar solide.

Tani që flasim, po thithim kancer në vend të ajrit, uji që na arrin është i ndotur, ushqimet që blejmë janë “spërkatur” me helmet e inceneratorit – sepse na qeveris një i papërgjegjshëm.

Do të ftoja të gjithë qytetarët e Elbasanit që t’i bashkohen thirrjes sime “FIKE PLEHRËN!” dhe të postojnë në profilin e tyre në mediat sociale këtë foto…

Pas zgjedhjeve, flasim. Tani Inceneratori duhet të fiket. Menjëherë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat