Korrupsioni në Shëndetësi, Gjykata lë në arrest në burg Sekretaren e Përgjithshme dhe zyrtaren tjetër

Shqipëria

Korrupsioni në Shëndetësi, Gjykata lë në arrest në burg Sekretaren e Përgjithshme dhe zyrtaren tjetër

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 18:00
Ministria e Shëndetësisë, Tiranë

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmoi masën e arrestit me burg për Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro dhe një tjetër zyrtareje, të Agjensisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Laura Shteto, të dyja të akuzuara për korrupsion. Ato u arrestuan të premten, pasi në zyrën e Duros u gjet një shumë prej 330 mijë lekësh të të reja, të cilat dyshohen se i janë dhënë asaj nga Shteto, në formën e një shpërblimi kundrejt shpalljes fitues të kompanisë Dricons në një tender të organizuar nga ministria e Shëndetësisë. Ajo që ra në sy, ishte se shuma në formën e ryshfetit është thuajse sa gjysma e vlerës së të gjithë tenderit për “supervizimin e rikonstruksionit të disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Në arrest një ditë më parë përfundoi dhe pronari i kompanisë Dricons Vladimir Topi, si dhe një inxhinjer i saj, Silvi Shehu. Ky i fundit pasi kishte marrë paratë nga Topi, ja kishte dorëzuar Shtetos, e cila sipas hetimeve shërbente si pikë kontakti me ministrinë e Shëndetësisë. Si Duro ashtu dhe Shteto nuk kanë pranuar akuzat. Madje avokatja e zonjës Duro, ka gritur dhe pretendimin se SPAK-u nuk ka kompetencë për të hetuar një Sekretar të Përgjithshëm, duke qenë se nuk konsiderohet funksionar i lartë shtetëror, duke sjellë në vëmendje, rastin e ish Sekretarit të përgjithshm të ministrisë së Financave, i arrestuar disa muaj më parë, për llogari të hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës.

Rasti i korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë u bë pjesë e debateve dhe në parlament gjatë seancës së sotme. Opozita kërkoi dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu, e cila nuk ishte shprehur deri më sot për atë që kishte ndodhur me figurën më të lartë në ministrinë e saj. “Do të ishte në nderin tuaj të jepnit dorëheqjen! Të tregonit me fakte se nuk jeni bërë pis. Të tregonit me vullnetin tuaj të lirë dhe jo me propagandë boshe se e mbështesni drejtësinë dhe i hapni rrugën drejtësisë për të hetuar deri në nivelet më të larta, deri tek ju! Por ju e humbet këtë shans! Nëse ju ngushëllon si fakt, nuk jeni e vetmja”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi.

Nga ana e saj, ministrja Manastirliu u shpreh se “qëndrimi im është i prerë dhe i qartë. Jo vetëm për këtë ngjarje, nga e cila si institucion, distancohemi plotësisht. Është qëndrimi që kemi patur, kemi dhe do të kemi gjithmonë për çdo rast të shkeljes të ligjit, për çdo rast të abuzimit me detyrën, çdo rast të shpërdorimit të saj dhe besimit të dhënë”, tha ajo duke folur për “një ngjarje të rëndë”. Dhe ashtu si për të gjitha rastet e tjera korruptive që kanë prekur qeverinë, edhe qëndrimi i saj ka qenë i njejti se “çdo person, çdo individ, ditën që merr besimin dhe bashkë më të, dhe detyrën e lartë në shërbim të publikut, merr automatikisht dhe përgjegjësinë para ligjit. Dhe përgjegjësia është indiviuale”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat