Politika shqiptare në ankth, SHBA dhe Britania gati shpalljen “non grata” të 12 pushtetarëve të lartë të korruptuar

Shqipëria

Politika shqiptare në ankth, SHBA dhe Britania gati shpalljen “non grata” të 12 pushtetarëve të lartë të korruptuar

Më: 10 qershor 2023 Në ora: 12:37
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duken të vendosura dhe premtojnë se nuk do ndalen deri sa politika shqiptare të pastrohet nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit përmes mekanizmit të shpalljes “non grata”, por jo vetëm kaq pasi SHBA në javët në vijim po përgatitin goditje të reja. Gazeta “SOT” ka mësuar se është gati një listë me 12 personazhe të lartë të korruptuar që janë shpallur “non grata”. Perëndimi pritet që t’i japë një tjetër hov luftës ndaj personave të korruptuar në Shqipëri.

Pra “lista e zezë” pritet të zgjerohet për Shqipërinë dhe mesazhi i fortë erdhi së fundmi edhe nga Britania, e cila do të ndërmarrë sanksione të reja në javët e ardhshme. Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, në një intervistë për një emision televiziv, e paralajmëroi këtë aksion diplomatik.

"Kur bëhet fjalë për sanksione dhe veprime që duhen marrë për ata që ne gjykojmë se janë përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion, sërish ne ndjekim një qasje të balancuar. Kjo nuk shënjestron asnjë individ, sikurse e përcaktoi qartë Lord Peach, kur njoftoi atëherë valën e parë të sanksioneve, në korrik të vitit të shkuar, ata ishin kundër një sërë individësh. Sikurse e dini, kur bëhet fjalë për kufizime të hyrjes ne MB, si në këtë rast, ne nuk i deklarojmë emrat, pra jo gjithkush e ka bërë publike përfshirjen e tyre në këtë valë sanksionesh. Por, sikurse edhe e thashë më parë, do të ketë valë të tjera sanksionesh kundër atyre të përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion", tha Alastair King-Smith.

Gjithashtu sinjalet e forta erdhën pak javë më parë nga vetë ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim. Ajo tha se ka zyrtarë që nuk po i zë gjumi pasi kanë frikë se do të jenë të radhës që do të shpallen “non grata” ose do të shkojnë në burg.

Faza e dytë për “non gratat”

Ndalesa e hyrjes në SHBA, apo Britani uk do të jenë vetëm masat e vetme për “non gratat”. Të gjithë personat, grupet, bizneset dhe organizatat e Ballkanit Perëndimor, përfshi Shqipërinë, që minojnë demokracinë, përfshihen direkt ose indirekt në korrupsion, apo dëmtojnë paqen e stabilitetin e rajonit do t’u bllokohen pasuritë dhe interesat pasurore që kanë ose që mund të kenë në të ardhmen në Amerikë, por edhe Londër.  

Pra, sanksionet e reja pas “Non Gratës” përfshijnë bllokimin e aseteve dhe llogarive bankare. Departamenti amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja, ka bërë me dije se të gjitha pronat dhe interesat në pronë të të sanksionuarve që ndodhen në SHBA, ose apo kontrollohen nga një shtetas amerikan, do të bllokohen dhe duhet të raportohen në OFAC (Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja). Gjithashtu bëhet me dije se “non gratat”, në fazën e dytë me bllokimin e pasurive, nuk mund të bëjnë transaksione financiare me asnjë sistem ndërkombëtar financiar, ku përfshihen bankat dhe agjencitë e transfertave.

Të gjitha transaksionet e kryera nga qytetarët e SHBA-së, ose brenda Shteteve të Bashkuara (ose në tranzit përmes Shteteve të Bashkuara) që përfshijnë çdo pronë ose të drejtë pronësie të personave të listuar ose të sanksionuar ndryshe janë përgjithësisht të ndaluara, përveç rastit kur OFAC ka lëshuar një leje ose përjashtim të përgjithshëm ose specifik. Ndalimet zbatohen për kontributin ose dhënien e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga, për ose në dobi të çdo personi të sanksionuar, ose marrjen e ndonjë kontributi ose fondi, mallrash ose shërbimesh nga një person i tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat