Mblidhet Këshilli i Investimeve! Mete fton bizneset të marrin pjesë në konsultimet për projektbuxhetin 2024 dhe paketën fiskale

Shqipëria

Mblidhet Këshilli i Investimeve! Mete fton bizneset të marrin pjesë në konsultimet për projektbuxhetin 2024 dhe paketën fiskale

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 17:28
Ervin Mete

Këshilli i Investimeve zhvilloi mbledhjen e radhës nën drejtimin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, me temë diskutimi “Për Përmirësimin e Cilësisë së Shërbimeve Publike të Digjitalizuara ndaj Biznesit”.

Mete informoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është në fazën e hartimit të projektbuxhetit për vitin 2024 dhe paketës së re fiskale. Në këtë drejtim, ministri ftoi biznesin që të bëhet pjesë e konsultimeve përkatëse.

“Mirëpresim rekomandimet dhe sugjerimet e biznesit, për të cilat në vijimësi do të zhvillojmë takime të posaçme për të biseduar dhe për të kuptuar më mirë qasjen dhe propozimet e përfaqësuesve të biznesit”, u shpreh Mete.

Gjatë fjalës së mbajtur, Mete vlerësoi kontributin e Këshillit të Investimeve në trajtimin e një sërë çështjesh, pasi është një platformë që mbledh së bashku përfaqësuesit e biznesit, qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtare, ndërsa theksoi nevojën për të pasur një përfaqësim më të gjerë nga biznesi në KI.

Mete ftoi përfaqësuesit e biznesit dhe dhomat e tregtisë që japin rekomandimet e tyre në zhvillimin e mëtejshëm të cilësisë së ofrimit shërbimeve publike të digjitalizuara, me qëllim përmirësimin e klimës së të bërit biznes, reduktimin e problematikave të sipërmarrjes dhe rritjen e konkurrencës në rajon e më gjerë.

Ministri i Financave ritheksoi rëndësinë e madhe të forcimit të bashkëpunimit mes biznesit dhe qeverisë, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe rritjes së qëndrueshme të ekonomisë.

Të pranishme në këtë takim ishin dhe Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, Zv.Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, si dhe përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe institucioneve ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat