Politika e përçarë edhe në festën e Pavarësisë, Berisha zbulon nëse mori ftesë nga kryeministri Rama

Shqipëria

Politika e përçarë edhe në festën e Pavarësisë, Berisha zbulon nëse mori ftesë nga kryeministri Rama

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 12:06
Sali Berisha

Politika shqiptare ka qenë e përçarë edhe në festën e Pavarësisë, ku kreu i qeverisë Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë veç e veç homazhet në varrin e Ismail Qemalit në Vlorë.

Berisha deklaroi se nuk kishe marrë ftesë nga Rama për t’iu bashkuar në homazhet në monumetin e Pavarësisë.

Por ish-kryeministri theksoi se edhe nëse do të kishte marrë ftesë me Pashiqin, siç iu drejtua ai Ramës, nuk do të bëhej kurrë në varrin e Ismail Qemalit.

“Shqiptarët, kur një e treta e kombit në një hark kohor 8-vjeçar, ka braktisur Shqipërinë, janë në një diktaturë të egër, e cila po e shkreton Shqipërinë.

Ndaj dhe kjo është një ditë që duhet t’i bashkojë shqiptarët, të betohen para Ismail Bej Vlorës dhe etërve të tjerë të pavarësisë, se Shqipëria nuk do jetë më e sunduar nga Pashiqi apo vëllai i Vuçiçit siç e quajnë në Kosovë, apo argati i Beogradit, siç e kanë quajtur rëndom në Tiranë, Edi Rama…

Nuk kisha asnjë ftesë, pro edhe po të kisha ftesë, me Pashiqin te varri i Ismail Qemalit nuk do vija kurrë. Si mund të bashkohem bashkë me atë, i cili ndjek po atë linjë të viteve të fillimit të shekullit të ndarjes dhe përçarjes së shqiptarëve. Nuk ka bashkim me të, ka betejë pa kthim gjer në largimin e tij në Beograd”, u shpreh Berisha.

Ai u zotua para varrit të Ismail Qemalit se kryeministri Edi Rama ka vendosur kurorën e fundit aty.

Ish-kryeministri e quajti Ramën një tradhtar të kombit, teksa shtoi se “shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhen, do e paketojnë atë në Beograd, aty ku e ka vendin”.

“Sot, mbarë shqiptarët, kudo që janë, përulen me mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh, para veprës së pavdekshme të Ismail Bej Vlorës, ditës së Flamurit Kombëtar, ditë e të gjitha ditëve të kombit shqiptar.

Me aktin e tij të një vizioni dhe kurajo të jashtëzakonshme, Ismail Bej Vlora, bëri të mundur ekzistencën e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Pa këtë akt, Shqipërinë dhe shqiptarët i prisnin greminat, honet e historisë. Sot, ata janë anëtarë të NATO-s, Kosova është e pavarur.

Por unë erdha këtu për t’u betuar para varrit të Ismail Bej Vlorës, se Pashiqi shqiptar, që sapo ka vendosur kurorën aty, e ka të fundit, sepse shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhen, do e paketojnë atë në Beograd, aty ku e ka vendin.

Tradhtar si ky, kombi nuk ka pasur ndonjëherë në histori. Dhe ky është një zotim solemn përpara Babait të Pavarësisë se edhe njëherë, Pashiqi nuk do ketë vend në Tiranë, por të shkojë në Beograd te padroni i tij Vuçiç.

Gëzuar qytetarë dhe qytetare të Vlorës, gëzuar shqiptarë dhe shqiptare kudo që jeni, këtë ditë të bekuar, këtë feste të të gjitha festave tona. Rroftë flamuri ynë, nderim përjetë Ismail Bej Vlorës dhe etërve të pavarësisë”, tha Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat