Blinken nga Tirana ka një mesazh për Serbinë, Rama vjen me një paralajmërim për Kosovën

Shqipëria

Blinken nga Tirana ka një mesazh për Serbinë, Rama vjen me një paralajmërim për Kosovën

Më: 15 shkurt 2024 Në ora: 10:01 Përditësuar në ora: 14:49 më 15.02.2024
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë, 15 shkurt, 2024. Foto: AP

Blinken mbërrin në ambasadën e ShBA-së në Tiranë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka nisur takimet e tij zyrtare në Shqipëri fillimisht nga ambasada e ShBA-së në Tiranë.

Sipas agjendës, Blinken do të ketë një takim me punonjësit e ambasadës për të shprehur vlerësimin për punën e bërë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gjithashtu, pritet që Sekretari Blinken të zhvillojë takim dhe me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë në vend.

Në agjendë parashikohet një takim me presidentin shqiptar, Bajram Begaj dhe më pas një ndalesë te piramida e Tiranës, ku do të takojë rreth 100 të rinj të cilët kanë pasur mundësi që nëpërmjet studimeve apo programeve të shkëmbimit të përjetojnë eksperiencën amerikane.

Rreth orës 16:00 pritet të nisë takimi me kryeministrin Edi Rama dhe më pas edhe një konferencë e përbashkët për mediat e tyre në ambientet e kryeministrisë, shkruan tvklan.

Hasani i uron mirëseardhje Blinkenit: Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, vetëm sa do të forcohet

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka reaguar në lidhje me vizitën zyrtare të sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Përmes një mesazhi në X, Hasani, theksoi se partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të vjetër, vetëm sa do të forcohet.

"Mirë se erdhe Antony! Me kënaqësi të mirëpritur Sekretarin e Shtetit Antony Blinken @SecBlinken në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri.

Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të vjetër, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë midis vendeve dhe njerëzve tanë.

I jam jashtëzakonisht mirënjohës Sekretarit Blinken për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij të paçmuar."

Makina e sekretarit Blinken niset drejt Tiranës

Pak minuta më parë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbërritur në aeroportin e Rinasit.

Qindra forca policie dhe vetë kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ndodhet në terren për sigurinë e zyrtarit të lartë amerikan. 

Blinken u prit në Rinas nga ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani dhe pak minuta pas takimit, makina e zyrtarit të lartë është nisur drejt kryeqytetit shqiptar. 

Vizita e tij në Tiranë do të zgjasë vetëm 8 orë, ka një rëndësi të veçantë pasi jo vetëm konfirmon partneritetin strategjik me SHBA-të, por forcon pozitat e Shqipërisë si një vend kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor.

Një mesazh mbështetjeje për drejtësinë dhe SPAK pritet të jepet gjithashtu nga kjo vizitë.

Ndërkohë në kryqytet janë bllokuar disa rrugë. Blinken do ketë takim me presidentin Bajram Begaj dhe kreun e qeverisë Edi Rama, që do të mbyllet me një konferencë në kryeministri pasditen e sotme. 

Trupa diplomatike ka bërë me dije se sot pritet të ketë një takim mes Blinken dhe kreut të SPAK, Altin Dumani.

Tetë orë në Shqipëri, Sekretari Blinken ka ateruar në Rinas, pas pak nis takimet

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Tiranë, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Blinken u prit në aeroport nga ministri i Jashtëm Igli Hasani, nën masa të rrepta sigurie, ndërsa disa rrugë të Tiranës janë bllokuar.

DASH ka publikuar dhe axhendën e Blinken, i cili do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kreun e qeverisë Edi Rama.

Në axhendë nuk shihet që Blinken do të zhvillojë një takim me kreun e SPAK Altin Dumani, ashtu siç është pretenduar në media.

Agjenda:

Ora 13:35: Blinken zhvillon një takim dhe përshëndet me punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë

Ora 14:15: Blinken takohet me aplikantët afganë për vizë emigruese speciale në Tiranë, Shqipëri.

Ora 15:05: Blinken takohet me Presidentin shqiptar Bajram Begaj në Tiranë, Shqipëri.

Ora 15:35: Blinken mban fjalime në një aktivitet të të rinjve dhe të diplomuarve me temë “ Festojmë të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri” në Tiranë, Shqipëri.

Ora 16:15: Blinken takohet me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë, Shqipëri.

Ora 17:55: Blinken merr pjesë në një ceremoni nënshkrimi për një Memorandum Mirëkuptimi mbi Shkëmbimin Akademik Fulbright dhe një Memorandum Mirëkuptimi mbi Kuadrin për Kundër Manipulimit Informativ të Shtetit të Huaj në Tiranë, Shqipëri.

Ora 18:10: Blinken dhe kryeministri shqiptar Edi Rama mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi në Tiranë, Shqipëri.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërrin në Tiranë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbërritur në Tiranë. Avioni me të cilin udhëtonte Blinken, është ulur në aeroportin “Nënë Tereza, rreth orës 11:12.

Blinken është pritur në aeroport nga ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani.

Në kuadër të kësaj vizite, janë marrë edhe masa nga ana e policisë, ku 1500 efektivë do të jenë në gatishmëri, ndërsa disa rrugë janë të bllokuara për drejtuesit e mjeteve.

Diplomati amerikan pritet të qëndrojë deri në 20:00. Ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj si dhe do të mbajë një takim me të rinjtë te Piramida.

ABC News raportoi më herët se diplomati amerikan do të nënshkruajë edhe disa marrëveshje në Tiranë. Bëhet fjalë për një memorandum mes Shqipërisë dhe SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, që ka të bëjë me bashkëpunimin në mbrojtjen nga sulmet kibernetike./

Mbërritja e Blinken në Tiranë, “blindohet” Rinasi, agjentë amerikanë ndodhen në Shqipëri

Forca të shumta policore në aeroportin e Rinasit.

Krahas tyre edhe agjente amerikan nga Secret Security ardhur në Shqipëri disa ditë më parë për të organizuar me detaje masat e sigurisë të sekretarit Antony Blinken.

Të gjitha agjencitë e sigurisë shqiptare në gatishmëri të plotë prej 48 orësh.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken vjen të enjten në Tiranë për një vizitë disa orëshe ku pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj. Sipas ekspertëve të politikës, vizita është e rëndësishme për aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA-të, por jo për politikën e brendshme.

Nga kush do të pritet në Rinas sekretari Blinken?

Rreth orë 11:00 pritet të preki tokën shqiptare avioni special i Departamentit Amerikan të Shtetit me të cilin udhëton drejt Shqipërisë sekretari Antony Blinken.

DASh ka kërkuar që ceremonia e pritjes të jetë sa më minimale. Do të jetë ministri Punëve të Jashtme, Igli Hasani ai i cili do ti urojë mirëseardhjen.

Do të jenë edhe amabsadori i Shqipërisë në ShBA, Ervin Bushati bashkë me të dërguarin me punë të SHBA në Tiranë David Wisner.

Në tapetin e kuq do të jenë të rreshtuar edhe disa marinsa amerikanë që shërbejnë në ambasadën Amerikane në Tiranë.

Nën masa të forta sigurie sekretari Blinken do t’i drejtohet Tiranës në këtë vizitë intensive 8 orëshe në Tiranë.

Blinken sot në Shqipëri

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të enjten, më 15 shkurt qëndron në Shqipëri, ku do të takohet me krerë shtetërorë, me të rinj dhe afganët që po strehohen në këtë shtet.

Kjo është vizita e parë e kryediplomatit amerikan në Tiranë dhe sipas Departamentit amerikan të Shtetit, ajo do të përqendrohet në të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

Sipas zëvendësndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Evropë dhe Euroazinë, Yuri Kim, vizita në Tiranë përkon me fillimin e shekullit të dytë të raporteve SHBA-Shqipëri.

“Ne duam të vëmë në pah bashkëpunimin e mirë që kemi me Shqipërinë, ne duam t’i falënderojmë ata që kanë qenë nikoqirët kryesorë për afganët në nevojë dhe për vazhdimin e traditës shqiptare për t’i strehuar ata që janë në rrezik”, tha Kim, duke iu referuar pranimit të afër 2.400 afganëve që ikën nga shteti i tyre, pas rikthimit të talibanëve në pushtet verën e vitit 2021.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili do të takohet me Blinkenin dhe do të kenë një konferencë të përbashkët për media, tha më herët se vizita e zyrtarit të lartë amerikan tregon se shteti shqiptar është ngritur në “një tjetër nivel” në pozicionimin e tij ndërkombëtar.

Një pano e vendosur në Tiranë përmes së cilës i urohet mirëseardhja në Shqipëri sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Në fund të fundit, Shqipëria nuk është as një vend i madh, as një fuqi ushtarake. Por, më sa duket është vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për faktin se në këtë kohë kaq të trazuar dhe me kaq shumë ngarkesë për sekretarin e shtetit dhe angazhimin e SHBA-së në botë ai e sheh të nevojshëm dhe e gjen kohën për të ndaluar në Shqipëri, patjetër që nuk është pak”, tha Rama më 14 shkurt.

Përveç takimit me Ramën, Blinken do të takohet edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, kryediplomati amerikan do të mbajë një fjalim në një ngjarje për të rinj që organizohet për të shënuar “të ardhmen e raporteve SHBA-Shqipëri”, thuhet në ueb-faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit.

Ai do të marrë pjesë një ceremoni për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi për programin e këmbimit të studentëve Fulbright dhe në nënshkrimin e një memorandumi kundër manipulimit informativ nga një shtet i huaj.

Blinken po ashtu do të takojë afganët e strehuar në Shqipëri, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.

Kjo është vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari amerikan të Shtetit. Në vitin 1991, Shqipërinë e vizitoi James Baker, Madeleine Albright më 2000, Colin Pawell më 2003, Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.

Vizita e Blinkenit në Shqipëri është në kuadër të një udhëtimi dyditor. Ai pas Shqipërisë do të marrë pjesë Konferencën e Sigurisë së Munihut, së bashku me nënpresidentin amerikane Kamala Harris, e cila do të mbajë fjalimin kryesor.

Në Gjermani, Blinken pritet të përqendrohet në mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën, shtet që po përballet me pushtimin rus, si dhe pritet të diskutojë për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe tensionet e rritura në Ngushticën e Tajvanit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat