Koreja e Jugut është kthyer në vendin e dytë nga ku Shqipëria importon makina të përdorura duke lënë pas Gjermaninë apo Zvicrën. Të dhënat zyrtare tregojnë se 17.4 për qind e mjeteve që u importuan gjatë janar-korrik 2024 i takojnë këtij vendi me një rritje të dukshme me janar-korrik 2023 kur zinin 7 për qind të totalit. Në numër mjetet e importuara nga Koreja e Jugut janë rritur me më shumë se 3 herë ku nga rreth 2956 tashmë kanë arritur në 10.6 mijë mjete.
Tendenca rritëse e importeve nga Koreja vihet re qartësisht edhe me sy të lirë nga një numër i shtuar i agjencive importuese por edhe reklamave të sponsorizuara në rrjete sociale të tyre. I vetmi vend që ende kryeson importet duke lënë pas Korenë është Italia nga ku importet kanë një peshë 18.2 për qind, ose 11.1 mijë automjete në janar-korrik.
Në vend të tretë vjen Gjermania me 17.2 % (10.5 mijë mjete) dhe më pas me radhë Zvicra me 9.1%, SHBA me 6.7%, Kina me 5.7% . Tendenca e importeve nga Koreja e Jugut duket se ka pas në pamje të parë një tendencë globale të stimulimit të mjeteve miqësore me mjedisin.
Politikat qeveritare nxisin përdorimin e mjeteve sa më të reja dhe kryesisht ato elektrike ose hibride. Kjo ka bërë që përdorimi i mjeteve me djegie të eliminohet me ritme të shpejta, duke nxitur shitjen e tyre. Makina e përdorura nga Koreja vijnë me një çmim dukshëm më ekonomik sesa ato të Europës që skeptikët e cilësojnë se vjen si efekt i standardeve më pak strikte të mjeteve sesa ato në BE kurse një tjetër argument është kostoja më e lirë e krahut të punës. Pavarësisht dilemave duket se importet nga Koreja e Jugut mbeten tejet aktive dhe çmimet e leverdishme po nxisin shqiptarët të orientohen gjithmonë e më shumë drejt tyre. Mënyrat e blerjes janë dy: ose duke porositur online dhe duke i paguar agjencisë tarifën e inspektimit dhe transportit ose duke blerë direkt nga agjencitë një mjet të siguruar prej tyre.