Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kujtuar sërish ish-Kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë.
Teksa ndodhet në qeli me urdhër të SPAK, Meta përmes një njoftimi në Facebook ka sjellë në vëmendje një bisedë të tij kur ishte kryeministër, kur Anastasi kishte shkuar në zyrë për ti kërkuar tokën se ku do të ngrihej Katedralja "Ngjallja e Krishtit".
Meta tha se Katedralja u ngrit nën kujdesin e Janullatos dhe shtoi se në qelinë e burgut ka një kalendar që ish-kryepeshkopi ja ka dërguar më parë.
Postimi i Metës:
Ndërsa këmbanat e kishave kanë nisur të bien në të gjithë Shqipërinë dhe mijëra besimtarë ortodoksë dhe qytetarë shqiptarë nderojnë kortezhin me trupin e Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos, një kalendar ortodoks (i vetmi që ndodhet në qelinë time çuditërisht), më nxit që në pamundësi për t’iu bashkuar këtyre homazheve ndaj këtij personaliteti të jashtëzakonshëm të nivelit botëror, të mos rri pa ndarë me ju disa copëza kujtimesh të gdhendura fort në kujtesën time.