Një ditë më parë u lançua Programi “Posi” për Përshpejtimin e Pranimit të Pagesave Elektronike, në partneritet me Mastercard Evropë, një hap konkret për të reduktuar informalitetin dhe për të rritur ritmin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare.
Programi do të fokusohet në tre degë, pagesat digjitale dhe mbështetja e bizneseve, turizmi i bazuar në të dhëna dhe sigurisht të siguria kibernetike. Përgjatë dekadës së fundit zhvillime të mëdha kanë ndodhur me rritje të përfshirjes financiare apo pagesat digjitale.
Sot, rreth 78% e popullsisë kanë të paktën një llogari bankare dhe pagesat digjitale për frymë kanë arritur në 23 nga 2 që ishin 10 vite me parë.
Një sërë nismash janë ndërmarre nga Banka e Shqipërisë por edhe nga qeveria për të nxitur pagesat elektronike si një me mënyrë edhe për të reduktuar informalitetin në ekonomi.
Drejtori i Shoqatës së Zyrave të Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj, i ftuar në “Money Report” foli për këtë proces kaq të dobishëm, në një kohë kur në Shqipëri ka rritje të ndjeshme të numrit të turistëve.
“Numri i kartave të lëshuara dhe numri i transaksioneve është në rritje dhe i dyfishuar në periudhën e fundit. Nuk është në nivelin që presim, duhet më shumë”, tha ai.
Ai tregoi se në Shqipëri është rritur numri i personave të pajisur me karta banke. Sipas ekspertit, aktualisht ka një numër të ulet të transaksioneve nëpërmjet kartave.
“Fakti qe kemi një shtim të turizmit dhe klientëve nga vendet e tjera dhe domosdoshmërisht kërkojnë elementin e kartës si instrument pagese, ka rritur përdorimin e tyre edhe në vendin tonë. Ne marrim karta, por nuk i përdorim. Kartat përdoren vetëm për tërheqje parash në atm”, tha ai.
Ai thekson se shoqëria shqiptare ka nevojë të thellojë edukim financiar më qëllim përthithjen e të gjithë avantazheve që të jep pagesa me anë të kartave.
“Konsumatorët të nxisin përdorimin e transaksioneve me kartë. Duhet më shumë edukim financiar tek qytetarët, por po ashtu duhen shtuar niveli i sigurisë”, tha ai.