Drejtuesi politik i PD-së në qarkun e Fierit, Gazment Bardhi zhvilloi disa takime me naftëtarët, i shoqëruar edhe nga kandidati i ASHM, Ledion Çala. Bardhi shkruan në rrjetet sociale teksa ka postuar disa foto nga takimi se naftëtarët do jenë nën vëmendjen e PD-së nesër në pushtet, pas 11 majit.
Bardhi shprehu angazhimin e tij për rishikimin e statusit të naftëtarëve dhe uljen e tatimit mbi të ardhurat nga 23% në 10%, duke premtuar se do ta realizojnë këtë menjëherë.
Ai theksoi se çdo vendim që prek jetën e naftëtarëve do të merret në konsultim me ta dhe se do të sigurohet një status i rishikuar me pension të lartë për këtë profesion.
Po ashtu, ai garantoi kushte të sigurta dhe optimale pune, duke mbrojtur të drejtat e naftëtarëve dhe duke e konsideruar shëndetin dhe mirëqenien e tyre si prioritet.
Bardhi përfundoi postimin duke shprehur angazhimin për të mbajtur premtimet dhe për të sjellë zhvillim në sektorin e naftës, duke kërkuar mbështetje për PD.