Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar pamjet filmike në Bllokun e Sigurisë ku ndodhet pas hekurave shefi i Rrugores, Roven Zeka. Mësohet se ky vendim ka ardhur pasi ka dyshime se Roven Zeka ka pasur kontakte me zyrtarë të policisë.
Zeka u arrestua më 19 prill me urdhër të SPAK. Gjithashtu Prokuroria e Posaçme lëshoi urdhër-arrest edhe për shefin e sektorit të Aksidenteve, Sokol Novaku, si edhe për Oficerin e Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku.
Ata akuzohen për korrupsion në një rast ku janë mbuluar pasojat e një aksidenti ku nga përplasja e dy automjeteve, ku 5 persona kanë përfunduar në spital.
Zyrtarët e Policisë Rrugore të Tiranës dyshohet se morën ryshfet për të mbyllur çështjen në rrugë, ndërkohë që asnjë institucion nuk bën me dije se çfarë ka ndodhur me 5 qytetarët e plagosur në atë përplasje mes dy automjetesh me datë 16 prill.