Partia Demokratike ka kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës, kandidatin e PS për deputet në Shkodër, zona e Fushë Arrëzit, Ervin Doda.
Në kallëzimin penal i cili mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka, kandidati i PS akuzohet se ka fshehur të dhëna në formularin e dekriminalizimit për të shkuarën e tij, më konkretisht 5 muaj burg për veprat penale të dyshuara kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas kallëzimit, Ervin Doda është arrestuar në vitin 2016 dhe ka bërë 5 muaj burg si dyshuar për veprat penale kanosje dhe armëmbajtje pa leje. (Në përfundim Doda është shpallur i pafajshëm).
Doda ka plotësuar formularin e dekriminalizimit në vitin 2023 në cilësinë e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Fushë Arrëzit, përfaqësues i PS.
Gjithashtu, Ervin Doda ka plotësuar formularin e dekriminalizimit në vitin 2025 si kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 majit.
Në kallëzimin e PD thuhet se Ervin Doda, në të dy formularët, duke iu përgjigjur pyetjes nr. 4, ka deklaruar se nuk ka qenë ndonjëherë i arrestuar për kryerjen e një vepre penale, ndërkohë që rezulton se ka bërë 5 muaj burg.
Në këto kushte, në materialin kallëzu3s thuhet se kandidati për deputet Ervin Doda ka konsumuar elementet e veprës penale të falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve, parashikuar në nenin 190, paragrafi i dytë i Kodit Penal.
KALLËZIM PENAL
KALLËZUES: Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, me adresë njoftimi: Blv. Zhan D’Ark, Tiranë.
KUNDËR: Ervin Doda, i biri i Ndue dhe Lina, lindur më 20.09.1985, në Fushë Arrëz, banues në Fushë Arrëz, me numër personal I50920059R.
OBJEKTI: Kallëzimi i veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, e parashikuar nga neni 190, paragrafi i dytë, i Kodit Penal.
BAZA LIGJORE: Neni 190 i Kodit Penal;
Nenet 280 dhe 281 të Kodit të Procedurës Penale.
PROKURORISË PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË
TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË
I/E Nderuar Z./Znj. Prokuror/e,
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
1. Në datën 23.03.2023, shtetasi Ervin Doda, kandidat i Partisë Socialiste për anëtar i Këshillit Bashkiak Fushë Arrëz, ka dorëzuar Formularin e Vetëdeklarimit në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Në pyetjen nr. 4 «A keni qenë ndonjëherë i ndaluar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale?», ka deklaruar «JO». Po ashtu, në pyetjen nr. 5 «A është caktuar ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale, në fuqi ose jo?», ka deklaruar «JO».
2. Në datën 12.03.2025, shtetasi Ervin Doda, kandidat i Partisë Socialiste për deputet i Kuvendit të Shqipërisë në Qarkun Shkodër, ka dorëzuar Formularin e Vetëdeklarimin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Në pyetjen nr. 4, me përmbajtje cituar si më lart ka deklaruar «JO». Ndërsa, në pyetjen nr. 5, ka deklaruar «PO», me masë shtrënguese «arrest në burg», nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë për veprat penale të «Kanosjes» dhe «Mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit», të parashikuara nga nenet 84 dhe 278 të Kodit Penal. Në seksionin «Periudha, data» ka shënuar datën «07.07.2026».
3. Nga verifikimet e kryera nga ana jonë rezulton e provuar në të dy formularët e vetëdeklarimit, në përgjigje të pyetjeve me nr. 4 dhe nr. 5, shtetasi Ervin Doda ka paraqitur rrethana të rreme, pasi rezulton se nga data 23.02.2016 deri në datën 07.07.2016, për rreth 5 (pesë) muaj, ai ka qenë nën masën arrest në burg, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje, të parashikuar nga nenet 84 dhe 278 të Kodit Penal. Në të dy formularët në përgjigje të pyetjes nr. 4, ai ka deklaruar se nuk ka qenë i arrestuar ndonjëherë për kryerjen e një vepre penale, ndërkohë që rezulton se ka qenë i arrestuar dhe ka qëndruar nën masë arresti pesë muaj. Në formularin e vitin 2023, në përgjigje të pyetjes nr. 5, nuk ka deklaruar asnjë të dhënë, ndërsa në formularin e vitit 2025 ka deklaruar të dhëna të paplota lidhur me periudhën e qëndrimit të tij me masën shtrënguese arrest në burg.
4. Në këto kushte, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se shtetasi Ervin Doda, kandidat për deputet në Qarkun Shkodër nga lista shumëemërore e Partisë Socialiste që i nënshtrohet votimit parapëlqyes, ka kryer veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, më shumë se një herë, të parashikuar nga neni 190, paragrafi i dytë, i Kodit Penal.
II. E DREJTA E APLIKUESHME
5. Kodi Penal:
(i) Neni 190 parashikon: “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.”.
6. Kodi i Procedurës Penale:
(i) Neni 280 parashikon: “1. Prokuroria dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.”
(ii) Neni 281 parashikon: “1. Nëpunësit publikë, të cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale.”.
III. ANALIZA LIGJORE
7. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë unifikuar qëndrimin e tyre lidhur me elementet që duhet të përmbushen në mënyrë kumulative që të ndodhemi përpara ekzistencës së një vepre penale. Konkretisht, kërkohët bashkëekzistenca e katër elementeve, përkatësisht objektit, anës objektive, subjektit dhe anës subjektive. Në vijim do të analizojmë secilin prej këtyre elementëve sa i përket veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, të cilat në vlerësimin tonë përmbushen plotësisht nga veprimet dhe mosveprimet e shtetasit Ervin Doda, kandidat për deputet i Partisë Socialiste në Qarkun Shkodër.
8. Objekti: Objekti i veprës penale ka të bëjë me marrëdhënien juridike ose vlerën e rëndësishme shoqërore që legjislatori ka synuar të mbrojë posacërisht, duke vendosur sanksion penal në rast të shkeljes së saj. Në rastin e veprës penale të “Falsifikimit të formularëve”, legjislatori ka synuar të mbrojë marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar prodhimin e përdorimin e rregullt të formularëve si dhe plotësimin e tyre të rregullt kur u drejtohen organeve shtetërore, të mbrojtura posaçërisht me legjislacionin penal nga veprimet ose mosveprimet kriminale. Konkretisht, marrëdhënia juridike që sigurohet të mbrohet është prodhimi, përdorimi dhe plotësimi i rregullt i Formularëve të Vetëdeklarimit, nga veprimet dhe mosveprimet e paligjshme të shtetasit Ervin Doda, kandidat për deputet i Partisë Socialiste në Qarkun Shkodër.
9. Ana objektive: Ana objektive e veprës penale ka të bëjë me veprimet ose moveprimet e kundërligjshme nëpërmjet të cilave është cënuar marrëdhënia juridike ose vlera shoqërore, e mbrojtur nga ligji penal. Në rastin e veprës penale të“Falsifikimit të formularëve”, ana objektive lidhet me falsifikimin e formularëve apo paraqitjen e të dhënave të rreme në këto të fundit që u drejtohen organeve shtetërore. Në rastin konkret, rezulton se shtetasi Ervin Doda ka paraqitur të dhëna të rreme në Formularin e Vetëdeklarimit të vitit 2023 dhe vitit 2025, sa i përket arrestimit dhe qëndrimit me arrest në burg në periudhën 23 shkurt 2016 deri më 7 korrik 2016. Në këtë kuptim, vepra penale rezulton e konsumuar në mënyrë të përsëritur nga ana e këtij shtetasi, i cili ka qenë plotësisht i vetdijshëm për ekzistencën e këtyre proceseve gjyqësore, siç del nga plotësimi pjesërisht i të dhënave në Formularin e Vetëdeklarimit të vitit 2025.
10. Subjekti: Subjekti i veprës penale ka të bëjë me personin që nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tij kryen vepër penale. Autori i veprës penale duhet të ketë mbushur moshën e parashikuar me ligj dhe të jetë i përgjegjshëm. Në rastin e veprës penale të “Falsifikimit të formularëve”, subjekt është i përgjithshëm, me përjashtim të rastit kur kemi të bëjmë me personi që është i ngarkuar me prodhimin e formularëve. Në rastin konkret, rezulton se shtetasi Ervin Doda është 39 vjeç (mosha madhore) dhe i përgjegjshëm. Në këtë kuptim, përmbushen edhe elementi i tretë i veprës penale.
11. Ana subjektive: Ana subjektive e veprës penale lidhet me aftësinë e personit për të kuptuar pasojat e veprimeve të tij dhe qëndrimin psikik që mban personi ndaj veprimit/mosveprimit të paligjshëm dhe pasojave të dëmshme. Në rastin e veprës penale tëfalsifikimit të formularëve, vepra penale kryhet me dashje direkte duke nisur nga motive konkrete dhe me qëllim për të nxjerrë përfitime të ndryshme. Në rastin konkret, është e qartë se shtetasi Ervin Doda ka qenë i vetdijshëm për pasojat e veprimeve/mosveprimeve të tij dhe ka lejuar ardhjen e këtyre pasojave, duke u përpjekur që të fshehë problemet që ka pasur në të shkuarën me organet e drejtësisë, qoftë për shkak të problemeve që kjo mund t’i krijonte për shkak të procesit të dekriminalizimit, ashtu edhe për shkak të cënimit të imazhit, pasi mund të shihej nga opinioni publik si një person me probleme me ligjin dhe organet e drejtësisë.
IV. KONKLUZIONE
12. Prandaj, në kushtet kur provohet katërcipërisht kryerja e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, e parashikuar nga neni 190, paragrafi i dytë, i Kodit Penal, përfundimisht,
KËRKOJMË:
(i) Shqyrtimin e këtij kallëzimi dhe kryerjen e verifikimeve paraprake.
(ii) Regjistrimin e procedimit penal.
(iii) Kryerjen e një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm, në një kohë sa më të shpejtë.
(iv) Dërgimin e çështjes në gjyq për shtetasin Ervin Doda, kandidat për deputet i Partisë Socialiste në Qarkun Shkodër, të akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i formularëve”, më shumë se një herë, të parashikuar nga neni 190, paragrafi i dytë, i Kodit Penal.
PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË
Sekretari i Përgjithshëm
Flamur NOKA