Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur të mos fillojë procedim penal për kandidaten e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Zegjine Çaushin.
Kallëzimi ndaj saj u depozitua në SPAK nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.
Partia Demokratike depozitoi kallëzimin mbi pretendimet për korrupsion zgjedhor, kanosje e pjesëmarrësve në zgjedhje, shpërdorim detyre dhe përdorim të funksionit publik.
Vendimi për të mos filluar procedim penal ndaj kandidates së PS është marrë nga prokurori i çështjes Sotir Kllapi, ndërsa është firmosur edhe nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Sipas SPAK, nuk vërtetohen pretendimet e PD se kandidatja e Partisë Socialiste Zegjine Çaushi ka konsumuar veprën e krimit zgjedhor të korrupsionit pasiv, çështje kjo, e cila është kompetencë direkte e SPAK.