LIVE: Votat e diasporës, KQZ jep detajet: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B - ja kur mund të mbyllet numërimi

Shqipëria

LIVE: Votat e diasporës, KQZ jep detajet: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B - ja kur mund të mbyllet numërimi

Më: 11 maj 2025 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 16:53 më 11.05.2025
Kuti të votimit

Prokurorët dhe agjentët e BKH-së mbikëqyrin procesin zgjedhor në Korçë! Task forca në gatishmëri për të hetuar çdo denoncim

Procesi zgjedhor ne qarkun e Korçës po monitorohet në vazhdimësi nga task-forca e ngritur pranë Prokurorisë së Korçës.

Nën drejtimin e prokurorit të SPAK, Vladimir Mara, prokurorët e Prokurorisë së Korçës, agjentë të BKH dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut, po ndjekin nga afër procesin zgjedhor.

Burime për News 24 bëjnë me dije se task- forca është në pritje dhe gatishmëri të plotë për të hetuar çdo denoncim që do të vijë në lidhje me procesin zgjedhor, duke garantuar ndjekje të kujdesshme dhe të paanshme të çdo denoncimi.

Së fundi, kishte shumë raportime pë parregullësi zgjedhore.

Zgjedhjet parlamentare/ Ja pjesëmarrja deri në orën 16:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë disa nga të dhënat vijuese lidhur me pjesëmarrjen e votuesve në procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare.

Sipas të dhënave të gjeneruara deri në orën 16:00, kanë votuar 35.85% e shqiptarëve.

Po sipas të dhënave, janë raportuar 2472 Qendra Votimi nga 5225 Qendra Votimi në total.

Kanë votuar 596403 nga 1663618 zgjedhës në listën e QV-ve të raportuara

KQZ revokon akreditimin e vëzhguesve në Vorë

Sot po mbahen zgjedhjet!

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka revokuar akreditimin e komisionerëve në Vorë.

Revokimi i akreditimit është bërë për vëzhguesit e KZAZ-ve, KQV-ve dhe VNV-ve.

Image
Vendimi

Përjashtohen vetëm vëzhguesit ndërkombëtarë dhhe ata të mediave.

Librazhd/ “E fshiva, e fshiva”, u kap duke fotografuar votën, qytetari tenton “të arratiset”

Këtë të diel qytetarët Shqiptarë po u drejtohen kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre, por nuk kanë munguar incidentet.

Disa raste të fotografimit të votës janë raportuar deri më tani.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Librazhd. Një qytetar i cili ka fotografuar votën, është pikasur nga komisionerët.

Megjithatë qytetari nuk e ka pranuar një gjë të tillë dhe ka tentuar të të dalë nga dritarja e qendrës së votimit.

Për këtë arsye për më tepër se 30 minuta në këtë qendër është ndërprerë votimi.

 

PS propozon zgjatjen e procesit të votimit deri në orën 22:00 në Vlorë, mblidhet Komisioni Rregullator për shqyrtimin e kërkesës

Komisioni Rregullator pranë KQZ mblidhet në orën 17:00 për shqyrtimin e kërkesës ku propozohet që votimi për 55 qendra votimi, në qarkun Vlorë, të zgjatet deri në orën 22:00, për shkak të akvitetitit sportiv Giro D’Italia.

Kërkesa për vetëmbledhjen e Komisionit Rregullator është bërë nga Arens Çela.

Ky propozim është depozituar të shtunën pranë KQZ nga PS, ku kërkohet shtyrja e orarit të votimit deri në orën 22:00, ndërkohë procesi zyrtar mbyllet në orën 19:00.

Kërkesa:

KËRKESË: Për vetëmbledhjen e Komisionit Rregullator, për shqyrtimin e projektaktit “Për shtyrjen e orarit të votimit, për 55 qendra votimi, në Qarkun Vlorë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025″,

Drejtuar:

Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Z.Ilirjan Celibashi

Komisionit Rregullator

I nderuar z. Komisioner,

E nderuar Kryetare e Komisionit Rregullator,

Të nderuar Anetarë të Komisionit Rregullator,

Me Vendimin nr. 1, datë 26. 10. 2020, Komisioni Rregullator ka miratuar Rregulloren për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Rregullator”.

Në mbështetje të nenit 20, pika 1, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Komisioni Rregullator është organi kompetent për shqyrtimin dhe miratimin e projektakteve me karakter normativ, të përgatitura nga administrata e Komisionit. Qendror të Zgjedhjeve ose nga anëtarët e tij.

Neni 20, pika 1, shkronja “d” e Kodit Zgjedhor, parashikon kompetencën e Komisionit Rregullator për miratimin e Rregullores së mbledhjeve të Rregullatorit.

Nisur nga sa më sipër dhe në përputhje me nenin 16 të Rregullores, po ju paraqes këtë kërkesë, për vetëmbledhjen e Komisionit Rregullator, për shqyrtimin e projektvendimit “Për shtyrjen e orarit të votimit, për 55 qendra votimi, në Qarkun Vlorë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”,

Anëtar i Komisionit Rregullator

Arens ÇELA

90-vjeçarja has vështirësi gjatë procesit të votimit, nuk kupton qartë votimin elektronik, e ndihmon komshiu

Një 90-vjeçare ka hasur vështirësi gjatë procesit të votimit në njësinë numër 10. Mësohet se e moshuara nuk e kupton procesin e votimit elektronik dhe ka kërkuar ta ndihmojë dikush.

Ajo nuk ishte e shoqëruar nga ndonjë i afërm dhe e ka ndihmuar një komshi.

Sipas ligjit, e moshuara mund të votojë nëse e ndihmon një familjar/e që nuk ka votuar në njësinë 10 ose person tjetër i panjohur, por që nënshkruan një deklaratë.

E moshuara në fund votoi, pasi e ndihmoi një komshi  icili nënshkroi një deklaratë.

"Unë jam 90 vjeçe. S’jam dakord me një të huaj, sepse vota është e fshehtë. Por, hajd të vijë zotëria," tha e moshuara.

Përplasen dy fise jashtë qendrës së votimit në Fushë Milot, dyshohet për të shtëna

Burime nga terreni bëjnë me dije se një përplasje ka ndodhur gjatë procesit të votimit në Fushë Milot, konkretisht në oborrin e shkollës 9-vjeçare “28 Nëntori”, ku është vendosur qendra e votimit nr. 0871.

Sipas informacioneve paraprake, dy shtetas të identifikuar si Kastriot (Preng) Perdoda dhe Asti Lleshi janë përfshirë në një konflikt verbal brenda perimetrit të sigurisë, i cili më pas është përshkallëzuar jashtë këtij perimetri. Konflikti dyshohet se ka përfshirë anëtarë të dy fiseve.

Ende të pakonfirmuara zyrtarisht, raportimet e para sugjerojnë se Kastriot Perdoda mund të ketë qëlluar një herë në ajër me armë zjarri, jashtë zonës së qendrës së votimit. Forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Deri më tani, policia nuk ka dalë me një konfirmim zyrtar për të shtënat e pretenduara. Hetimet vijojnë dhe pritet një reagim zyrtar nga autoritetet në orët në vijim.

Sot Shqipëria voton për Parlamentin e ri, ja sa është pjesëmarrja në rang vendi deri në orën 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat mbi pjesëmarrjen në votimet e 11 majit, deri në orën 15:00. Në rang vendi, pjesëmarrja ka arritur në 32.98%, me gjithsej 515,996 zgjedhës që kanë votuar.

Sipas të dhënave, Qarku i Dibrës kryeson për nga përqindja e pjesëmarrjes, me 38.97% të votuesve që kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor deri në këtë orë. Pas saj renditen Kukësi me 37.42% dhe Tirana me 37.22%, që mbetet edhe qarku me numrin më të lartë të votuesve në total, 160,620 persona.

Në skajin tjetër të renditjes qëndron Vlora, ku pjesëmarrja është më e ulëta në vend, me vetëm 23.85%, ose 31,439 votues, që kanë votuar deri në orën 15:00.

Pjesëmarrja në qarqet e tjera paraqitet si më poshtë:

BERAT: 19,810 votues – 31.84%

DURRËS: 61,753 votues – 30.51%

ELBASAN: 44,593 votues – 33.67%

FIER: 54,110 votues – 33.83%

GJIROKASTËR: 15,793 votues – 30.90%

KORÇË: 51,648 votues – 32.61%

LEZHË: 16,390 votues – 32.04%

SHKODËR: 31,016 votues – 28.61%

Voton kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi mesazh qytetarëve

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi votoi mesditën e sotme në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në kryeqytet.

Pas votimit Celibashi foli për mediat.

Ai tha se fotografimi i votës nga votuesit do të marrë përgjigjen e duhur nga drejtësia, teksa theksoi se qytetarët që kryejnë këto lloj shkeljesh mund të ndëshkohen me minimumin 3 vjet burgim.

“Fotografimi i votës do marrë përgjigje nga drejtësia. Minimumi tre vjet burgim për ata që fotografojnë votën. Jo vetëm politikanët por edhe votuesit duhet të kuptojnë se kanë përgjegjësi”, tha Celibashi.

Voton në ambientet e paraburgimit të Durrësit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ushtruar sot të drejtën e votës në ambientet e paraburgimit të Durrësit. Ai votoi në orarin e përcaktuar nga administrata e institucionit, në përputhje me rregullat dhe procedurat për votimin e personave që ndodhen në paraburgim.

Pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste. I burgosur pa gjyq, Veliaj u kërkoi qytetarëve që kur të shkojnë për të votuar, të kujtojnë pak si ishte Tirana dhe si është sot.

Ai nënvizonte se vota në 11 maj nuk duhet të jetë një votë kundër Saliut apo partizave të dala nga barku i PD, por një votë për punën, për shpresën, për transformimin. “Vota juaj duhet të jetë një votë për të tashmen që na bën krenar dhe të ardhmen europiane që meritojmë.”

Ai e mbyllte statusin e tij me një ftesë për të votuar këtë të dielë Partinë Socialiste dhe Edi Ramën që Shqipëria të vijojë të ecë përpara.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat