LIVE: Votat e diasporës, KQZ jep detajet: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B - ja kur mund të mbyllet numërimi

Shqipëria

LIVE: Votat e diasporës, KQZ jep detajet: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B - ja kur mund të mbyllet numërimi

Më: 11 maj 2025 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 14:32 më 11.05.2025
Kuti të votimit

KQZ publikon shifrat, ja sa ishte pjesëmarrja deri në orën 14:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar shifrat për pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 14.

Që prej momentit kur u hapën qendrat në të gjithë vendin, raportohet se pjesëmarrja ka qenë 29.53% nga 2276 qendra votimi që kanë çuar informacionin në KQZ.

Krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, ka një rritje me rreth 2.2% më shumë.

Ndërkohë që në zgjedhjet e përgjithshme të para katër viteve, pjesëmarrja deri në orën 14 ka qenë 35.62%.

Ndërpritet procesi i votimit në Lezhë, raportohet për probleme me një votuese

Në shkollën “Besëllidhja” në Lezhë është ndërprerë procesi i votimit.

Një qytetare, e pamundur për të votuar, ka kërkuar familjarin e saj për të ushtruar të drejtën e votës.

Ata nuk e kanë lejuar këtë gje dhe i kanë ofruar një qytetar tjetër që po priste në radhë për ta ndihmuar.

Pas konsultimit dhe mbledhjes së anëtarëve të komisionit, vendosën që fleta e votimit që gruaja kishte plotësuar në fillim të dilte e pavlefshme.

Më pas ajo është lejuar të marrë një tjetër fletë votimi dhe bashkë me mbesën e saj të ushtrojë të drejtën e votës.

Mesazhi i Berishës: Mirënjohje mijëra shqiptarëve që vërshuan nga ajri, nga toka dhe nga deti për të votuar sot në Shqipëri

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka falenderuar qyetarët që iu drejtuar deri më tani kutive të votimit

Berisha shprehu mirënjohjen për emigrantët shqiptarë, që sipas tij, “kanë vërshuar nga ajri, nga toka dhe nga deti dhe janë dyndur sot dhe po votojnë në Shqipëri”.

“Thirrja ime është për çdo shqiptar: voto, voto, voto për veten tënde, për fëmijët e tu, për vendin tënd, për të ardhmen tënde, të fëmijëve të tu, për biznesin, për rrogat, për pensionet, për fermën”, shtoi kreu i PD-së.

Sali Berisha: Falënderoj ata qytetarë që gjer tani kanë hedhur votën e tyre, kanë votuar duke kryer kështu një detyrim madhor të çdo shqiptari mbi moshën 18-vjeçare.

Detyrim madhor ndaj vetes, familjes, shoqërisë, Shqipërisë dhe kombit.

Një falënderim i veçantë dhe mirënjohje e pakufishme për ata mijëra e mijëra shqiptare dhe shqiptarë që nuk u regjistruan dot për shkak të burokracirave dhe frikës së qeverisë ndaj votës së tyre, por kanë vërshuar nga ajri, nga toka dhe nga deti dhe janë dyndur sot dhe po votojnë në Shqipëri.

Mirënjohja ime është e pakufishme ndaj tyre. Ata me votën e tyre i gjenden vendit dhe kombit në një moment, në të cilin kanë nevojë shumë të madhe.

Së fundmi, edhe njëherë thirrja ime është për çdo shqiptar: voto, voto, voto për veten tënde, për fëmijët e tu, për vendin tënd, për të ardhmen tënde, të fëmijëve të tu, për biznesin, për rrogat, për pensionet, për fermën.

Pra, është një votim më shumë se kurrë për interesat më të rëndësishme të çdo qytetari.

Dalja në zgjedhje deri në orën 12:00, rreth 22 për qind

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri thotë se procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht dhe se dalja në votime deri në orën 12:00 është 22.61 për qind.

Kjo është një rënie prej krahasuar me zgjedhjet e kaluara parlamentare, kur dalja në votime në kohën e njëjtë ishte 27.24 për qind.

Në këto zgjedhje – ku për herë të parë do të votojnë edhe shqiptarët në mërgim – përballen kryeministrin në largim, Edi Rama, dhe kundërshtari i tij i përbetuar Sali Berisha, një politikan i djathtist që kryeson një aleancë të partive opozitare.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

“Qytetarët të mos intimidohen”- Bardhi denoncon: Po tentojnë të dekurajojnë votuesit me akuza të rreme për PD!

Drejtuesi politik i PD-së në Qarkun Fier, Gazment Bardhi, përmes një deklarate, shprehet se ka asnjë largim të komisionerëve të opozitës nga qendrat e votimit, ndërsa akuzon zv.kryeministren Belinda Balluku, duke thënë se po “tenton të dekurajojë votuesit me akuza të rreme për Partinë Demokratike.”

Bardhi gjithashtu denoncoi duke thënë se “patronazhisti i PS ka hyrë në qendër votimi, ka votuar për një person tjetër dhe është larguar.”

“Është e paligjshme që persona të paautorizuar, punonjës të administratës, persona të armatosur, të qëndrojnë brenda, në derën apo afër QV”, tha ai.

REAGIM I GAZMENT BARDHI:

Përmes zëdhënëses së organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi”, Belinda Balluku po tenton të dekurajojë votuesit me akuza të rreme për Partinë Demokratike. Nuk ka asnjë largim të komisionerëve të opozitës nga qendrat e votimit. Ka mbrojtje të procesit zgjedhor nga votimi i patronazhistëve në emër të votuesve të tjerë. Kjo është e vërteta e rastit të referuar nga Belinda Balluku. Patronazhisti i PS ka hyrë në qendër votimi, ka votuar për një person tjetër dhe është larguar. Aktualisht, procesi vijon normalisht, pasi është njoftuar KZAZ dhe anëtarë të të dyja forcave politike kanë verifikuar situatën.

Kandidatët e Partisë Demokratike do t’i përgjigjen çdo thirrje të komisionerëve tanë kur konstatohet shkelje e ligjit. Që nga mëngjesi në shumicën e QV komisionerët e Partisë Demokratike kanë njoftuar kandidatët se komisionerët/vëzhguesit e PS brenda QV marrin në mënyrë të paligjshme të dhënat e qytetarëve që kanë votuar dhe i hedhin në një format unik të përgatitur nga PS. Kjo është e paligjshme dhe synon të kontrollojë votuesit.

Është e paligjshme që persona të paautorizuar, punonjës të administratës, persona të armatosur, të qëndrojnë brenda, në derën apo afër QV.

Policia e Shtetit edhe pse është njoftuar nuk bën asnjë reagim. Për pasojë, kandidatatët tanë kanë ndërhyrë dhe do të ndërhyjnë në çdo rast për të kërkuar rregullshmërinë e procesit, që po minohet nga prezenca e palejuar e qindra patronazhistëve të PS në cdo QV.

Ftoj qytetarët e qarkut të Fierit të mos intimidohen nga këto akte antidemokrate të bandës së Edi Ramës dhe Belinda Ballukut në Fier! Sot është dita e qytetarëve dhe çdo votë e tyre vlen!

A do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve nëse PD nuk fiton? Përgjigjet Berisha

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediat nga selia blu iu bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje sa më masive në këto zgjedhje që siç tha janë për të ardhmen e kombit.

Berisha shprehu bindjen se verdikti i popullit sot do jetë historik, ndërsa paralajmëroi cilindo që shkel ligjin se do të mbajë përgjegjësi.

I pyetur nëse do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve nëse verdikti i popullit nuk do të jetë historik siç ai pretendo, Berisha tha:

“Sot sovrani jep një verdikt historik, cili është ai që nuk i bindet historisë”.

“Ta tregoj unë…”, Flamur Noka përplaset me votuesit në një qendër votimit në Vorë

Sekretari i Partisë Demokratike, Flamur Noka është përplasur me disa votues në Vorë ne një qendër votimi. Ai dëgjohet duke kërcënuar votuesit, ndërsa i paralajmëron se “do ta shikojnë” pas 11 majit.

“Keni intimiduar. E shoh se çfarë qytetari i lirë je. Ta tregoj unë. Janë pajisur të gjithë me karta vëzhguesish. Do ta shohim pas 11 majit”, tha Noka.

Ky nuk është një rast i izoluar kur Partia Demokratike merr rolin e protagonistes për keq në këto zgjedhje.

Më herët, kandidatë dhe përfaqësues të saj partie kanë hyrë nëpër qendra votimi dhe kanë bërë thirrje që votuesit të votojnë Partinë Demokratike, sjellje kjo, e cila bie ndesh me Kodin Zgjedhor.

PAMJET

Tjetër konflikt fizik në qendrat e votimit në Pogradec, detajet e para

Një tjetër konflikt ka ndodhur pranë qendrës së votimit në shkollën “Muhamer dhe Esat Minarolli” në qytetin e Pogradecit.

Në ambientet e jashtme të kësaj qendre është shënuar një përplasje fizike.

Ndërsa ende nuk dihen shkaqet dhe personat e përfshirë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë.

U arrestua se fotografoi fletën e votimit, Prokuroria njofton akuzën ndaj 56-vjeçares në Elbasan

Prokuroria e Elbasanit bën dije 56-vjeçarja që u arrestua në qendrën e votimit në Elbasan, akuzohet për veprën penale ‘Shkelja e fshehtësisë së votimit’.

Njoftimi:

Fotografoi votën, me kërkesë të Prokurorisë Elbasan arrestohet shtetasja M.C. për veprën penale ‘Shkelja e fshehtësisë së votimit’

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u arrestua shtetasja M.C. nën akuzë për veprën penale ‘Shkelja e fshehtësisë së votimit’, parashikuar nga neni 327/1 i Kodit Penal.

Në datë 11.05.2025, është marrë njoftim se në një qendër votimi në qytetin e Elbasanit, nga ana e Komisionit të Qëndrës së Votimit ishte konstatuar një shtetase e cila kishte fotografuar fletën e votimit.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, është dërguar grupi hetimor në vendin e ngjarjes, është identifikuar shtetasja e mësipërme, është sekuestruar telefoni celular, janë administruar aktet përkatëzse si dhe janë marrë deklarime personave që kanë dijeni.

Në përfundim të veprimeve paraprake të kryera, është arrestuar në flagrancë shtetasja me iniciale M.C., e dyshuar si autore e veprës penale të “Shkelja e fshehtësisë së votimit” parashikuar nga neni 327/1 i K.Penal.

Luan Baçi denoncon parregullsi në Fier: Mungojnë 500 fletë nga një kuti!

Gjatë ditës së sotme janë raportuar disa parregullsi serioze në disa nga qendrat e votimit në Fier, ku vëzhguesit dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste janë kapur në shkelje të rregullave të procesit zgjedhor.

Në QV nr. 3030 (Kinoteatri Fier), janë konstatuar vëzhgues të PS-së me lista në duar duke kontrolluar votuesit. Lista është kapur në mënyrë flagrante dhe ekzistojnë foto që e dokumentojnë situatën.

Në QV nr. 3021 (Shtëpia e Pionierit) dhe 2996 (Mark Dashi) është vërejtur e njëjta skemë, ku persona të lidhur me PS mbajnë lista me emra, duke ushtruar presion të heshtur mbi votuesit.

Në QV nr. 2988 (Bishanak), një vëzhguese e PS është pozicionuar pranë kutisë së votimit, duke ndikuar direkt në proces. Ajo ka ndërhyrë edhe në mënyrën e palosjes së fletëve, duke bërë që të jetë i dukshëm votimi për PS.

Në Kopshtin nr. 3, është raportuar prezenca e Luan Bacit, figurë politike e PS-së, brenda ambienteve të qëndrës së votimit. Ai është parë duke kontrolluar lëvizjen e njerëzve dhe është përfshirë në një konflikt verbal me vëzhguesin e PSD-së, duke e tensionuar situatën.

Lidhur me këto demokrati Luan Baçi thotë se është paraqitur në ambientet e qendrës së votimit jo për të shkelur ligjin, por për të verifikura shkelejt e ligjit.

“Nuk është hyrje në qendrën e votimit për të shkelur kodin zgjedhor apo ligjin, por ka qenë interesim për të verifikuar këto shkelje të ligjit”, tha Baçi.

Gjithashtu ai tha se një kuti votimi në qendrën e votimit 3134/01 ka ardhur me 500 fletë votimi mangët.

Baçi: Në Fier janë vënë re që në fillimet e votimit shkelje të rënda të Kodit Zgjedhor. Më lejoni të përmend këtu kutinë e votimit që ka ardh me 500 fletë votimi mangët. KZAZ 59, QV 3134/01 fletë votimi kanë marrë 47, mungojnë 500 në kuti. Dhe tani me urdhër të KQZ-së janë shpërndarë nëpër qendrat e tjera për të mbledhur fletë votimi për të plotësuar këtë kuti me mangësi. E kam denoncuar edhe në mëngjes, në shumë QV ka pasur vëzhgues në thonjëza të PS që e kanë pasur historikun e tyre mbajtjen e shënimeve për çdo qytetar brenda qendrës së votimit, intimidimin e qytetarëve, marrjen informacionet për komshinj të afërm kush ka ardh dhe kush nuk ka ardh.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat