Plot 17 raste të fotografimit të votës janë regjistruar në 11 Maj, ditën kur dhe u zhvilluar procesi i Votimit për Zgjedhjet Parlamentare të Republikës së Shqipërisë.
Të gjitha rastet janë raportuar në polici nga anëtarët e Komisionit të Votimit, ku më pas policia ka referuar materialin pranë prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm.
“Ora News” ka mësuar se bëhet fjalë për një shifër relative prej 17 raste, ku vetëm 4 raste janë regjistruar në kryeqytet, 2 në Qarkun e Elbasanit, 1 në Korçë, 1 në Gjirokastër, 0 raste në Shkodër, 1 rast Tropojë, dy raste në Lezhë, 2 në Dibër, 2 raste në Durrës, 2 në Berat.
Rasti i fotografimit të votës në Tropojë është kryer nga një persona me probleme mendore, i cili kishte dhe vendim gjykatë për kurim ambulator në kushtet e shtëpisë, ndaj policia e Kukësit nuk ka kryer arrestimin e tij në flagrancë.
Ndërsa njëri nga dy rastet e Elbasanit është denoncuar në profilin e kandidatit të PD, Aurel Bylykbashi, pas të cilit policia mori masën e arrestit.
Kryesisht në teren në qytetin e Elbasanit kishte të dhëna për fotografim vote në qendrat e votimit zonës së “5 Majit” dhe lagjes së Banesave, zona këto ku është përqendruar me banim komuniteti Rom.
Të gjithë personat e arrestuar ditën e 11 Majit 2025, janë liruar ditën e sotme nga gjykata, duke sjellë vijimin e hetimeve kundër tyre në gjendje të lirë.
Personat e arrestuar akuzohen për veprën penale të “Shkeljes së fshehtësisë së votës”, akuzë kjo që parashikon një dënim me burgim nga 3 muaj deri në dy vite..