Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Ardit Bido, ka komentuar në një lidhje të drejtpërdrejtë për News24 rrjedhën e procesit zgjedhor dhe fazën e numërimit të votave në këtë qark.
“Në gjykimin tim, PS do të shkojë në 9 mandate. Jemi shumë afër. Nuk do jem më i votuari në qarkun e Vlorës, por është e qartë se mandati i nëntë po garantohet për Partinë Socialiste,” – deklaroi Bido.
Ai vlerësoi procesin zgjedhor si të qetë dhe korrekt: “Procesi i votimit dhe i numërimit kanë qenë pa problematika. Qytetarët kanë shprehur vullnetin e tyre duke i dhënë besimin PS-së për katër vitet e ardhshme.”
Sipas tij, ky proces ka qenë edhe një provë e rëndësishme për modelin e listave të hapura, ku qytetarët patën mundësi të zgjedhin jo vetëm forcat politike, por edhe individët që i përfaqësojnë në Kuvend.
Në përfundim, Bido shprehu bindjen se rezultati për Partinë Socialiste në Vlorë është një reflektim i vullnetit të qytetarëve për vazhdimësinë e punës dhe projekteve në këtë qark.
Sakaq, ai u pyet edhe për deklaratën e kryedemokratit Sali Berisha, i cili tha se nuk do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se kjo është diçka “që dihej një muaj më parë” dhe se “nuk përbën lajm”.