Dosja "Toyota Yaris"/ GJKKO dënoi me burg ish-kreun e Prokurorisë Vlorë, zbardhet vendimi

Shqipëria

Dosja "Toyota Yaris"/ GJKKO dënoi me burg ish-kreun e Prokurorisë Vlorë, zbardhet vendimi

Më: 20 maj 2025 Në ora: 18:18
Aurel Zarka

Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin për ish-kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka për të cilin trupi gjykues vendosi dënimin me 4 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar ai u dënua me 2 vite e 8 muaj burgim. Prokuroria e Posaçme  kishte kërkuar që Zarka të dënohej me 6.4 vite burgim. Zarka nuk mund të ushtrojë funksione publike për së paku pesë vite. Ish-kryeprokuror i Vlorës akuzohet si i përfshirë në dosjen “Toyota Yaris”.

VENDIMI I GJYKATES SE POSAÇME E SHKALLËS SË PARË PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Aurel Zarka, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë.

Gjithashtu pwr akuzwn “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Rudina Palloj dhe Bib Ndreca, vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel Zarka, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel Zarka, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel Zarka, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim,

Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel Zarka, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim.

Në zbatim të nenit 55 të K.Penal mbi caktimin e dënimit për kryerjen e disa veprave penale, Gjykata vendos që të dënojë të pandehurin Aurel Zarka me një dënim të vetëm me 4 (katër) vite burgim.

Në aplikim të nenit 406/1 të Kodit te Procedurës Penale masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Aurel Zarka me 2 (dy) vite dhe 8 (tetë) muaj burgim.

Në zbatim të nenit 35 të K.Penal heqjen e të drejtës për të pandehurin Aurel Zarka për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5 vjeçar. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Aurel Zarka fillon nga dita e arrestimit të tij dt. 29.07.2024 dhe do të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.

Çfarë është dosja “Toyota Yaris”

Dosja “Toyota Yaris” lidhet me bllokimin e bujshëm të 3.4 milionë eurove në qershor të vitit 2018 në portin e Durrësit, një dosje që u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pastrim parash, por pas disa piruetave procedurale u transferua në Prokurorinë e Tiranës dhe u mbyll me akuzën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi”.

Kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka akuzohet se në bashkëpunim me oficeren e Policisë Gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe të afërmin e të pandehurve, Astrit Vladin kanë ushtruar ndikim të paligjshëm dhe veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv për të ndikuar ecurinë e çështjes “Toyota Yaris” dhe lirimin e të pandehurve. Ky zbulim ngre hije të zeza dyshimi mbi një grup prokurorësh dhe gjyqtarësh të Krimeve të Rënda dhe Tiranës, që i hetuan dhe i shqyrtuan këto çështje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat