Rëndohet skandali institucional pas zbulimit të një helmimi masiv të fëmijëve në kopshtin publik nr 1 në qytetin e Gramshit.
Autoritetet mbyllën gojën për 4 ditë. Asnjë reagim zyrtar, ndërkohë që fëmijë të moshës 4-6 vjeç me simptoma të rënda helmimi u dërguan në spital pasi kishin konsumuar ushqimin e kopshtit shtetëror.
Vetëm pas jehonës në media pas denoncimit nga prindërit, institucionet vendore kujtohen të “sqarojnë” publikun.
“Nuk ka vend për shqetësim të shtuar në këtë faze’ thuhet në reagimin e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në Gramsh që ngjan me një përpjekje për të minimizuar situatën sesa për të informuar me transparence.
Të thuash se “vetëm një fëmijë është paraqitur me shqetësime të lehta” në një kohë kur janë marrë 76 mostra për analiza, është më shumë një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë sesa për të sqaruar të vërtetën.
SYRI ka mundur të sigurojë analizat e fëmijëve të helmuar në kopshtin e Gramshit, dyshuar me salmonelë.
Në përmbajtjen e përgjigjes së analizës, theksohet prania e salmonelës, që dyshohet ta kenë marrë në ushqimin që iu është servirur në kopshtin publik.
Rezultatet pritet të dalin më 25 maj
Sqarim për median dhe publikun
Në vijim të raportimeve në media mbi një situatë të ndodhur në një institucion parashkollor në qytetin e Gramshit, sqarojmë se Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor është vënë menjëherë në ndjekje të rastit.
1 fëmijë është paraqitur me shqetësime të lehta gastrointestinale dhe është referuar për analiza laboratorike nga mjekja pediatre përkatëse.
Në kuadër të hetimit epidemiologjik janë marrë gjithsej 76 mostra nga fëmijët dhe punonjësit, dhe janë në proces analizimi.
Rezultatet e analizave nuk kanë dale ende përfundimtare dhe priten të jenë të disponueshme ditën e nesërme, më 25 maj 2025.
NJVKSH Gramsh ka njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) dhe po bashkëpunojnë ngushtësisht me strukturat vendore për të garantuar një vlerësim të plotë dhe të kujdesshëm të situatës.
Theksojmë se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në kohë dhe me profesionalizëm, dhe nuk ka vend për shqetësim të shtuar në këtë fazë.
Çdo informacion i mëtejshëm do të bëhet publik në mënyrë transparente, sapo të përfundojnë analizat dhe verifikimet përkatëse.
Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor