Policia Kufitare e Himarës ka ndërhyrë sërish këtë mesditë për të shpëtuar 16 persona që ndodheshin në det në zonën midis plazhit të Qeparoit dhe Borshit.
Personat po lundronin me kanoe, por për shkak të detit me dallgë nuk kanë mundur të rikthehen në breg dhe kanë kërkuar ndihmë.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë reaguar menjëherë, duke ndërhyrë me mjete të specializuara dhe duke shoqëruar në breg të gjithë personat, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Gjatë mesditës janë raportuar disa raste të ngjashme, ku turistë të ndryshëm që kishin dalë në det me mjete lundruese kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve për shkak të kushteve të vështira të detit.
Autoritetet u bëjnë apel pushuesve dhe turistëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të informohen mbi kushtet atmosferike përpara përdorimit të mjeteve lundruese.