Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, gjatë një tryeze të zhvilluar mbi vlerësimin e performancës së institucionit që drejton, ka theksuar rëndësinë e komunikimit mes institucioneve, duke respektuar kufijtë kushtetues.
Gjatë fjalës së tij, Dumani vuri në dukje marrëdhënien e mirë të krijuar ndër vite me Kuvendin dhe jo vetëm, duke shtuar se SPAK vlerësn ato rekomadime kur bazohen në analiza të thelluara, objektive dhe të konsultuara me institucionet e pavarura kushtetuese.
“Ndërhyrjet me karakter konstruktiv janë të mirëpritura kur janë të argumentuara mirë dhe i shërbejnë nevojave reale për përmirësim. Çdo përpjeke për të cenuar pavarësinë funksionale të SPAK, nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme, rrezikojnë të ç’balancojnë kufijtë kushtetues mes pushteteve”, tha Dumani.
Ai theksoi më tej se rekomandimet nuk kanë rol detyrues për SPAK, por janë orientuese dhe mbështetëse.
“Vetëm duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve të pavarura, mund të ruajmë balancën Kushtetuese që i jep kuptim reformës në drejtësi dhe besimit të publikut ndaj saj”, tha ai.
Altin Dumani : Në raportin e SPAK do gjeni edhe shpjegimet si janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit apo të Këshillit të ministrave. Vlerësojmë se rekomandimet do bazohen në analiza të thelluara, objektive dhe të konsultuara me institucionet e pavarura Kushtetuese në mënyrë që të sigurohet një komunikim funksional pa tejkaluar kufijtë Kushtetues.
Duhet të përmend këtu marrëdhënien e mirë që kemi me Kuvendin, para se të finalizohet raporti i vlerësimit për institucionet apo të nxirren rekomandimet, ne kemi një komunikim mes institucioneve tona dhe po të shohësh në vite rekomandimet e Kuvendit, kanë qenë të lidhura ngushtë me SPAK dhe ne më parë jemi përpjekur t’i reflektojmë dhe përmbushim.
Ndërhyrjet me karakter konstruktiv janë të mirëpritura kur janë të argumentuara mirë dhe i shërbejnë nevojave reale për përmirësim. Çdo përpjeke për të cenuar pavarësinë funksionale të SPAK, nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme, rrezikojnë të ç’balancojnë kufijtë kushtetues mes pushteteve.
Është thelbësore që të kemi një kuptim të qartë ligjor të natyrës së këtyre rekomandimeve, në thelb ato nuk kanë rol detyrues për SPAK, por orientues, mbështetës në frymën e ndërtimit të një sistemi më efikas të drejtësisë. Vetëm duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve të pavarura, mund të ruajmë balancën Kushtetuese që i jep kuptim reformës në drejtësi dhe besimit të publikut ndaj saj.