Gjykata la në burg Ilirjan Selmanin për vrasjen e të dashurës 21 vite më të madhe, flet avokati i të akuzuarit

Shqipëria

Gjykata la në burg Ilirjan Selmanin për vrasjen e të dashurës 21 vite më të madhe, flet avokati i të akuzuarit

Më: 31 korrik 2025 Në ora: 15:01
Foto ilustrim

Gjykata e Korçës, caktoi sot masën arrest në burg për 31 vjecarin, Ilirjan Selmani, i cili masakroi me thikë të dashurën e tij, Kozeta Teço 52 vjeçe, duke e lënë të vdekur, më pas për të fshehur krimin, i vuri zjarrin edhe banesës së saj në Pogradec.

I riu akuzohet per kryerjen e veprës penale, “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.

Avokati i Ilirjan Selmanit, Denis Mekolli, në një prononcim për mediat zbuloi detaje nga seanca gjyqësore. Ai tha se klienti i tij nuk ka pranuar në asnjë moment autorësinë e krimit, teksa ka shprehur keqardhje për viktimën.

Gjithashtu 31-vjeçari, sipas avokatit, ka mohuar se ka bashkëjetuar me Kozeta Teçon.

Avokati: Fillimisht dua të shprehim një ndjese për viktimën, pavarësisht nëse është apo jo i mbrojtur nga une autori i veprës penale, por si qytetar i Pogradecit i shpreh familjes ngushëllimet e mia për humbjen e saj.

I mbrojturi nga unë ne asnjë moment nuk e ka pranuar autorësinë e kryerjes se veprës penale, as ne polici as para gjykatës dhe as gjithë procedurës te pyetjeve te bere ndaj tij. Ka mbajtur një qëndrim qe ka te beje me personalitetin e tij qe është një djalë shumë i mirë dhe kurrsesi nuk mund të kryej një krim kaq të rëndë.

Edhe faktin e bashkëjetesës me viktimën ai nuk e ka pranuar. Ai ka pranuar që ka pasur një njohje, një njohje në kuptimin e fjalës pra si një njohje shoqërore apo çdo lloj njohje tjetër, por jo bashkëjetesë. Bashkëjetesa i referohet edhe ligjit dhe përcaktimeve të bëra në kodin e familjes se si është e ndërtuar bashkëjetesa, kurrsesi nuk jemi më rastet e bashkëjetesës.

Prokuroria ka paraqitur një sërë provash për të ruajtur konfidencialitetin e këtij hetimi. Ne nuk prononcohemi në lidhje me këto prova të garantuara nga ana e policisë deri në këto momente, por me bindje ne si mbrojtje deklarojmë para jush që prova dhe dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova për të mbrojtur prej meje si autor i kësaj vepre penale nuk ka. Kjo është bindja jonë deri në këto momente.

Ai nuk ka pranuar në asnjë moment autorësinë e krimit të ngarkuar ndaj tij. Po kështu ka shprehur keqardhje për viktimën duke qënë i shokuar në lidhje me lajmin që ka marrë për të. Nuk mund të prononcohem për provat e garantuara deri në këto momente, ai është një sekret hetimor që i përket prokurorisë, gjykatës dhe mbrojtjes. Kujtojme se në dëshminë e dhënë në polici pas arrestimit, Ilirjan Selmani ka rrëfyer se kohët e fundit marrëdhënia e tyre ishte përkeqësuar, pasi viktima 52-vjeçare, sipas tij, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe shpesh ushtronte dhunë ndaj tij.

“E doja, nuk më bënte përshtypje mosha. Vij nga një familje e mirë dhe nuk mund të bëhem vrasës. Ajo shpesh dehej dhe më godiste, por e duroja sepse e doja. Pastaj nuk durova dot më”, ka deklaruar i riu gjatë rrëfimit në polici.

Nga hetimet ka rezultuar se 31-vjeçari dhe viktima ishin në një lidhje intime prej 3 vitesh. Ngjarja fillimisht u raportua si aksidentale pasi u dyshua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë djegies së banesës së saj.

Por, pas kqyrjes së jashtme të trupit të pajetë të Kozeta Teços u konstatuan dëmtime të dyshuara të shkaktuara me thikë.

Nga pamjet filmike të zonës është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, 31-vjeçarit Ilirjan Selmani, banues në Pogradec, i cili dyshohet se ka patur lidhje intime me viktimën prej 3 vitesh.

Ai dyshohet se ka vrarë me thikë 52 vjeçaren dhe i ka vënë zjarrin banesës së saj për të fshirë gjurmët e krimit. Më pas është larguar nga banesa e viktimës rreth orës 05:00.

I riu është vendosur në pranga për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

******

Dëshmia e nënës:

Sanie Selmani, jashtë kamerave është shprehur, se mëngjesin e krimit (28 Korrik) djali i saj ishte kthyer nga Korça dhe shkoi në derën e viktimës për të hedhur mbeturinat e partneres në kosh.

Sipas nënës së 31-vjeçarit këtë procedurë ai e bënte gjithmonë, pasi sipas saj, Kozeta Teço nuk mund të lëvizte.

Ajo u shpreh se nuk ishin dakord për lidhjen që Ilirjan Selmani kishte krijuar me viktimën, por theksoi se nuk i kishte kërkuar të ndaheshin.

“Djali im nuk mund të vriste askënd, dje ai u kthye nga Korça dhe vajti tek dera e viktimës mori mbeturinat siç bënte gjithmonë sepse ajo nuk lëvizte dhe i hodhi në kazan. Nuk e ka bërë ai ketë vrasje, nuk ka prova. Ne nuk ishim dakord për marrëdhënien me të, por ai pavarësisht se ne nuk ishim dakord e kishte pranuar siç ishte viktimën dhe nuk i kemi kërkuar të ndahet.

Djalin tim e njohin të gjithë mund te pyesni, ai nuk krijonte probleme. Kam lexuar në media shume gënjeshtra për djalin tim, dje erdhën shume policë, desh e mbytën kur e morën. Ai është i sëmurë nga zemra. Policia të nxjerre të vërtetën, nuk është djali im siç thuhet në media”, deklaroi ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat