Pas publikimit të një shkrimi të detajuar nga Gazeta Shqiptare mbi hetimet e SPAK ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, erdhi reagimi i ashpër i Gazment Bardhit, i cili e cilësoi fikjen arbitrare të sinjalit të News24 dhe rrethimin me forca policore të redaksive si një akt të qartë hakmarrjeje politike.
Gazment Bardhi ka risjellë shkrimin e publikuar në Gazetën Shqiptare në 8 gusht, që sipas tij solli hakmarrjen e Belinda Ballukut ndaj News24 një ditë më pas, mëngjesin e 9 gushtit.
“Në datën 8 Gusht 2025, ora 18:40, Gazeta Shqiptare, pjesë e “Focus Group Media”, publikoi shkrimin për komunikimin e pritshëm të akuzës nga SPAK për ZëvendësKryeministren Belinda Balluku. Në datën 9 Gusht 2025, ora 07:00, shoqëria shtetërore “KAYO” sh.a., ku rezulton se kryetar i Këshillit Mbikëqyrës është Ermal Nufi urdhëron zabtimin e të gjitha pronave ku ushtrojnë veprimtarinë mediatike News 24, Balkanweb, Gazeta Shqiptare dhe Panorama, pavarësisht se pjesa dërrmuese e tyre as nuk i kanë kaluar në administrim shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a. (pronat janë me qira të vlefshme deri në vitin 2033, me nje vlerë vjetore qiraje 180 mijë euro, siç konfirmonte edhe vetë MEKI në një deklaratë zyrtare)”, shkruan Bardhi.
Në shkrimin e Gazetës Shqiptare, Balluku përmendet si figura kryesore në një hetim penal të thelluar që lidhet me korrupsion, shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe skandale të shumta që prekin sektorin e infrastrukturës dhe energjisë.
Gazment Bardhi në reagimin e tij publik theksoi se ndërprerja e sinjalit të News24 dhe zaptimi i ambienteve të redaksive si Balkanweb, Gazeta Shqiptare dhe Panorama, nuk janë aksidente apo veprime administrative, por përpjekje për të heshtur zërat kritikë që po ekspozojnë këto afera.
Ai përmendi edhe rolin e Ermal Nufit, kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë shtetërore “KAYO”, i cili urdhëroi ndërhyrjen, ndërkohë që ai është i lidhur ngushtë me Ballukun.
“Qëllimi nuk është të merret në administrim një pronë shtetërore, por të heshten mediat kritike, me shpresën se presioni politik do të funksionojë,” tha Bardhi, duke paralajmëruar se kjo është një formë e rrezikshme censurimi dhe shkelje e lirisë së medias.