“Rrëmbimi i Ilir Metës, akt kriminal dhe politik i urdhëruar”, Blushi: Avokati i Popullit faktoi shkeljen e ligjit

Shqipëria

“Rrëmbimi i Ilir Metës, akt kriminal dhe politik i urdhëruar”, Blushi: Avokati i Popullit faktoi shkeljen e ligjit

Më: 28 gusht 2025 Në ora: 14:50
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas publikimit të gjetjeve të Avokatit të Popullit lidhur me ndalimin e ish-Presidentit Ilir Meta më 21 tetor të vitit të kaluar.

Në një deklaratë zyrtare, Blushi e cilëson raportin e Avokatit të Popullit si “një akt tronditës për shtetin e së drejtës dhe demokracinë”, duke theksuar se ndaj Metës është kryer një “rrëmbim kriminal” me urdhër politik.

Sipas Partisë së Lirisë, përdorimi i forcave speciale të armatosura dhe të maskuara, shoqërimi pa dokumentacion, zhdukja e provave dhe mungesa e çdo procesverbali ligjor përbëjnë shkelje flagrante të Kushtetutës, Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe çdo standardi demokratik.

Blushi akuzoi SPAK-un dhe Policinë e Shtetit si bashkëpërgjegjës në këtë veprim, të cilin e quajti “një skenar të paramenduar të kryeministrit Edi Rama për të frikësuar opozitën”.

Partia e Lirisë kërkon ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të pavlefshme masat ndaj Metës, si dhe një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi mënyrën e arrestimit. Në deklaratë thuhet se rasti i ish-Presidentit nuk është thjesht një incident individual, por një paralajmërim për çdo qytetar shqiptar se mund të përballet me të njëjtin trajtim nëse kritikon qeverinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat