Avokati Genc Gjokutaj ka reaguar pas përplasjes së kryeministrit Edi Rama me institucionet e drejtësisë. Me konkretisht pas thirrjes së Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, që kreut te qeverisë të ndalë sulmet ndaj gjyqtarëve, por ankesat t’i adresojë në rrugë gjyqësore, pasi po “minon pavarësinë e pushtetit gjyqësor”.
Por Genc Gjokutaj është shprehur se në Shqipëri nuk ka ndarje pushtetesh, por një skenë te madhe teatri. Sipas tij, kryeministri sulmon gjyqtarët dhe prokurorët, sikur ai të ishte “gjykatësi suprem”!
Ndërkohë që sipas avokatit “Kryeministri nuk pranon asnjë vendim që nuk i shërben politikës së tij. Në vend që të respektojë gjykatën, ai e turpëron publikisht. Në vend që të presë procesin ligjor, ai shpall verdiktin e vet”.
“Konkluzioni – një shtet që luhet si farsë! Kjo është Shqipëria e sotme: Rama flet si gjykatës suprem, KLGJ fshehet si skuth, KLP zhduket si struc. Dhe qytetarëve u shitet si “drejtësi e re”. Por kjo nuk është drejtësi – është teatër i turpit, i shëmtuar, ku regjisor është pushteti politik dhe aktorë janë institucionet e vetë dorëzuara. Në këtë teatër, gjykatësit e prokurorët nuk janë më të pavarur, por kukulla. Dhe kur drejtësia bëhet kukull, demokracia pushon së ekzistuari. Poshtë dispozita që parashikon Kodi i ri Penal që vetë e ka bërë!”, thekson avokati.
Reagimi i Genc Gjokutajt
Në Shqipëri nuk kemi ndarje pushtetesh – kemi teatër. Në skenë del Edi Rama, sulmon gjyqtarë e prokurorë si gjykatës suprem, dhe institucionet që duhet të mbrojnë drejtësinë bëhen palë me heshtjen e tyre. Kjo nuk është demokraci, është farsë. Rama – gjykatësi i kombit. Kryeministri nuk pranon asnjë vendim që nuk i shërben politikës së tij. Në vend që të respektojë gjykatën, ai e turpëron publikisht. Në vend që të presë procesin ligjor, ai shpall verdiktin e vet.
Rama është bërë gjykatës, prokuror dhe ekzekutor njëkohësisht. Për të, Kushtetuta është dekor, gjyqtarët janë pengesë, ligji është letër që zhbëhet me një status në rrjetet sociale.
KLGJ – skuthi që dridhet para emrit të Kryeministrit
Reagimi i KLGJ është turpi i radhës. Fjalë të bukura, parime të larta, por pa guximin minimal për të thënë emrin e Edi Ramës. “Subjekte publike apo private”, thotë KLGJ. Qesharake. Kur Kryeministri të godet në mes të sheshit, të përgjigjesh pa e përmendur emrin e tij është kapitullim, jo mbrojtje. Është si të shesësh frikën për pavarësi.
Rama përsëri – arroganca e pandëshkuar
Në vend që të tërhiqet, Rama i tall edhe më shumë. I bën moral KLGJ-së, i jep leksione, u thotë gjyqtarëve se nuk janë “maliqër”. Në fakt, ai e thotë hapur: “Unë jam mbi ju, unë vendos kush është i drejtë dhe kush jo.” Dhe askush nuk guxon t’i thotë se po shkel Kushtetutën me këmbë.
KLP – struci që ka humbur zërin.
Më e turpshmja është Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Prokurorët u sulmuan publikisht, por KLP nuk flet. Zero reagim. Asnjë fjali. Asnjë mbrojtje. KLP është bërë organi më i padukshëm i shtetit – jo sepse është i pavarur, por sepse ka zgjedhur të fshihet. Heshtja e tyre nuk është neutralitet, është nënshtrim.
Konkluzioni – një shtet që luhet si farsë
Kjo është Shqipëria e sotme: Rama flet si gjykatës suprem, KLGJ fshehet si skuth, KLP zhduket si struc. Dhe qytetarëve u shitet si “drejtësi e re”. Por kjo nuk është drejtësi – është teatër i turpit, i shëmtuar, ku regjisor është pushteti politik dhe aktorë janë institucionet e vetë dorëzuara.
Në këtë teatër, gjykatësit e prokurorët nuk janë më të pavarur, por kukulla. Dhe kur drejtësia bëhet kukull, demokracia pushon së ekzistuari.