Akuzohet për trafik ndërkombëtar të drogës dhe përfshirje në ngjarje kriminale, Gjykata e Lartë në Brazil lëshon urdhër arrest për Ervin Matën

Shqipëria

Akuzohet për trafik ndërkombëtar të drogës dhe përfshirje në ngjarje kriminale, Gjykata e Lartë në Brazil lëshon urdhër arrest për Ervin Matën

Më: 28 shtator 2025 Në ora: 11:32
Ervin Mata

Gjykata e Lartë Federale e Brazilit ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për shtetasin shqiptar Ervin Mata, i akuzuar nga autoritetet shqiptare për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe disa aktivitete të tjera kriminale.

Sipas mediave braziliane, urdhri është dhënë nga gjyqtari Alexandre de Moraes më 23 shtator, pas kërkesës për ekstradim nga autoritetet shqiptare.

Mata i cili është shpallur në kërkim nga SPAK, dyshohet se është fshehur në Brazil prej vitesh, që pas nisjes së hetimeve  ndaj tij në Shqipëri dhe në vendet e BE-së.

Akuzat ndaj Matës

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe informacioneve të përgjuara përmes aplikacionit të koduar “Sky ECC”, Ervin Mata konsiderohet si organizator i një rrjeti të strukturuar kriminal që ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine në Evropë.

Një nga rastet më të bujshme ku ai përmendet është tentativa për trafikimin e 69 kg kokainë, që ishte fshehur në një kontenier me lëng limoni dhe që u sekuestrua nga autoritetet braziliane në Portin e Santos, me destinacion për në Valencia, Spanjë.

Gjithashtu, hetimet e lidhin atë me një tjetër ngarkesë prej 240 kg kokaine, e kapur në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 2020.

Pas këtij operacioni të dështuar, besohet se Mata është larguar nga Europa dhe është vendosur në Brazil, ku autoritetet shqiptare e kanë lokalizuar më vonë.

Dyshime për vrasje me pagesë dhe pastrim parash

Përveç akuzave për trafik droge, burime nga shtypi shqiptar bëjnë me dije se Ervin Mata është nën hetim për financim të vrasjeve me pagesë, si dhe pastrim parash përmes kontratave fiktive, përfshirë dhe projekte me spitale publike në Shqipëri që rezultojnë të regjistruara në emër të të afërmve të tij.

Sipas raportimeve, edhe gjatë qëndrimit jashtë vendit, ai ka vazhduar të fitojë të ardhura të konsiderueshme, rreth 81 milionë lekë, nga aktivitete që lidhen me sipërmarrje në Shqipëri.

“Burime pranë hetimit konfirmojnë se Shqipëria ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Ervin Matës nga Brazili. Tashmë, pritet vendimi përfundimtar nga autoritetet gjyqësore braziliane, ndërsa nën monitorimin e INTERPOL-it po vijon edhe operacioni për lokalizimin dhe ndalimin e tij”, shkruajnë mediat braziliane.

Kujtojmë se Ervin Mata është personazhi kryesor i përplasjes në ish-Bllok në vitin 2018 ku u përplas ashpër me Ervis Martinajn. Në atë kohë u përdor edhe emri i këngëtares, Elvana Gjata, që mund të ishte shkak i ngjarjes.

Përplasja midis dy grupeve kriminale kishte ardhur për shkak të trafikut të drogave të forta.

Ervin Mata është një person i konsideruar dhe një personazh dhe faktor kryesor në trafikun e drogave të forta nga Amerika Latine drejt Bashkimit Evropian.

Djali i zt.Breçani, ka lidhje krushqie me Ervin Matën, dyshohet të jetë i përfshirë në çështje të trafikut të drogës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat