Policia e Shtetit në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, kanë kapur në flagrancë dy shtetas që shitnin lëndë narkotike dhe posedonin sende të kundërligjshme në banesë.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Kombinimi” u arrestuan n A. T., 53-vjeç, banues në Gjormë - Laç dhe T. T., 27-vjeç, banues në Tiranë, të dy me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.
Këta shtetas janë ndaluar nga shërbimet e policisë në Bathore, duke qarkulluar me dy automjete, në të cilat gjatë kontrollit u gjetën katër kilogramë kanabis që dyshohet se ata e posedonin me qëllim shitjen në doza në Bathore dhe Kamëz.
Në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, u krye kontroll në banesën e 53-vjeçarit në Gjormë, ku u konstatua një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba. Gjatë kontrollit u gjetën 48 bimë dhe 120 fidanë kanabis sativa, të kultivuara në vazo, shtatë kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, katër kallëp tritol, dy granata, dy ndezës, shtatë fitila detonator dhe tri kuti me ndezës minash luftarake. Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçarit në Tiranë, u gjet një kilogram kanabis, një peshore elektronike, një shufër metalike dhe një thikë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këto veprimtari kriminale, ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.