Gjyqtari u vra brenda sallës, reagon ministri i Drejtësisë: U kalua vijë e kuqe

Shqipëria

Gjyqtari u vra brenda sallës, reagon ministri i Drejtësisë: U kalua vijë e kuqe

Më: 6 tetor 2025 Në ora: 18:27
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari

Ka reaguar ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit në Tiranë.

Në një deklaratë zyrtare, Lamallari e cilëson ngjarjen si një sulm ndaj gjithë sistemit të drejtësisë dhe kërkon ndëshkim maksimal për autorin.

Reagimi i plotë i ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari:

“Sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.
Ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit dhe siguria e jetës dhe integritetit fizik të njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë, e që shteti do ta mbrojë me vendosmëri e me çdo çmim.

Vrasja e gjyqtarit Kalaja në krye të detyrës është një akt kriminal që meriton ndëshkimin më të ashpër me të gjithë forcën e ligjit. Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cënojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Paralelisht me nevojën e rishikimit të sistemit të sigurisë së brendshme nëpër gjykata, pashmangshmërisht duhet të ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje në Kodin e ri Penal, për të cilin tashmë kemi nisur konsultimin publik. Armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot.

Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë. Asnjë akt kriminal si ky i sotmi nuk do të mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve. Ministria e Drejtësisë qëndron në krah të institucioneve të drejtësisë.

Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, për të afërmit, kolegët e tij dhe për të gjithë trupën gjyqësore. I uroj shërim të shpejtë dy personave të tjerë të mbetur të plagosur nga ky akt kriminal.
U prehsh në paqe i nderuar gjyqtar Kalaja!”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat