Në një reagim zyrtar, Zyra e Medias e Presidencës bëri me dije se institucioni i Presidentit respekton plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot pjesën e dekretit të Presidentit Bajram Begaj që caktonte datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës.
Sipas vendimit, kjo pjesë e dekretit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe është pezulluar deri në shqyrtimin përfundimtar.
Shqyrtimi i dekretit erdhi pas ankimimit të avokatëve të Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që kërkoi shpalljen e pavlefshme të dekretit presidencial për zgjedhje të reja në Tiranë, më 9 nëntor.
Reagimi i Presidencës:
Zyra e Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun
Njoftim për Media
Tiranë, më 9 tetor 2025
Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës të dekretit me nr.350, datë 01.10.2025.