Kërcënoi me vrasje gjyqtarët, jepet masa e sigurisë për Gjovalin Shkambin, xhaxhain e vrasësit të Astrit Kalasë

Shqipëria

Kërcënoi me vrasje gjyqtarët, jepet masa e sigurisë për Gjovalin Shkambin, xhaxhain e vrasësit të Astrit Kalasë

Më: 10 tetor 2025 Në ora: 12:01
Gjovalin Shkamb

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për Gjovalin Shkambin, pas deklaratave të rënda të bëra prej tij lidhur me hetimin e nipit të tij, Elvis Shkambi, autor i dyshuar i vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.

Gjovalin Shkambi ka deklaruar se do të vriten edhe gjyqtarë të tjerë, në rast se nipi i tij do të dënohet për ngjarjen e rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë. Kërcënimet janë bërë gjatë një komunikimi të dokumentuar, çka ka çuar në arrestimin e tij dhe përballjen me drejtësinë.

Në këtë ngjarje janë të përfshirë gjithashtu edhe Gjon Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, i dyshuar si bashkëpunëtor në atentatin ndaj gjyqtarit Kalaja.

DEKLARATA E GJOVALIN SHKAMBIT 

Në një komunikim për mediat, Gjovalin Shkambi ka deklaruar se ai gjyqtar që do të dënojë nipin e tij, Elvis Shkambi do të ketë fatin e Astrit Kalasë.

“Ata që do të dënojnë atë do të përballen me të njëjtën gjë. Ata që do të dënojnë nipin do të përballen me plumba, sepse ka 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit dhe gjithë qeverisë na i jepni pronën se e kemi blerë. Ai gjyqtari që do dënoj atë ka të njëjtën shpërblim, provat i dhamë”, tha Gjovalin Shkambi.
I pyetur nëse janë të penduar për krimin, ai tha: “Familjes së të ndjerit gjyqtar i kërkoj hallallin me kishë e xhami”.

Ai u shpreh se nuk i druhet hakmarrjes, duke kërcënuar sërish se “do ti hanë plumbat sic i hëngri Astrit Kalaja”.

“Në mënyrë absolute nuk i druhem hakmarrjes, kemi nisur luftën. Kur të dënojnë atë djalë, në sallë të gjyqit me plumba do të gjykohet. Se më ka prerë në besë shteti. Ia kam blerë shtetit. Nuk ka gjyqtar që e dënon. Do t’i hanë plumbat sikur i hëngri Astrit Kalaja!”.

REAGIMI I FAMILJES

Familja e tij ka kërkur ndjesë publike, duke deklaruar se Gjovalin Shkambi ka qenë në gjendje të rënduar.

Teksa shprehin ngushëllime për familjen e gjyqtarit, ata thonë se janë të vetëdijshëm se kërcënimet nuk justifikohen në asnjë rrethanë.

“Ne si familjarë e kuptojmë plotësisht madhësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ngjarjeje, por kërkojmë me mirëkuptim që mediat të shmangin sa më shumë përfshirjen në jetën tonë familjare, pasi babai jone është marrë në pyetje dhe është publikuar në momente jashtëzakonisht të vështira dhe në gjendje të rënduar psikologjike”, shprehet familja e Gjovalin Shkambit.

Deklarata e plote e familjes 

E nisim këtë mesazh duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes së gjyqtarit të ndjerë!

Shprehim keqardhje të thellë për gjithë situatën e krijuar pas deklaratave të babait tonë.

Kërkojmë publikisht ndjesë për fjalët e thëna prej tij, të cilat, siç ka pranuar edhe vetë, janë shprehur në një moment gjaknxehtësie dhe tronditjeje të madhe.

Pavarësisht se drejtësia deri më tani nuk ka arritur ende të vendosë pikën përfundimtare mbi këtë çështje, ne nuk duam në asnjë mënyrë të përdorim gjuhë urrejtjeje ndaj personave që ushtrojnë detyrën e tyre dhe respektojmë proceset ligjore që po zhvillohen.

Jemi plotësisht të vetëdijshëm se kërcënimet nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, por kërkojmë mirëkuptim për gjendjen e rënduar emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhej babai ynë në ato momente.

Ne si familjarë e kuptojmë plotësisht madhësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ngjarjeje, por kërkojmë me mirëkuptim që mediat të shmangin sa më shumë përfshirjen në jetën tonë familjare, pasi babai jone është marrë në pyetje dhe është publikuar në momente jashtëzakonisht të vështira dhe në gjendje të rënduar psikologjike.

Urojmë që drejtësia dhe qetësia të mbizotërojnë, dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë!

Me respekt,

Familja e Gjovalin Shkambi

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat