Sot dita e 15-të e protestës në Patos/ “Po bëjnë presion me litarin e varfërisë”, naftëtarët zhvendosen në zyrat e “Bankers Petroleum”

Shqipëria

Sot dita e 15-të e protestës në Patos/ “Po bëjnë presion me litarin e varfërisë”, naftëtarët zhvendosen në zyrat e “Bankers Petroleum”

Më: 29 tetor 2025 Në ora: 12:42
Protesta

Në ditën e 15-të të grevës së urisë, naftëtarët e Patos–Marinzës kanë zhvendosur protestën e tyre përballë zyrave të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier.

Me pankarta në duar dhe thirrje si “Turp t’ju vijë!”, grevistët dënuan atë që e quajnë presion dhe intimidim ndaj punonjësve, për t’i detyruar të braktisin grevën.

“Po u bëjnë presion me litarin e varfërisë, me bukën e fëmijëve”, deklaroi kreu i sindikatës, Dritan Shahu.

Në këtë tubim disa prej grevistët morën edhe fëmijët e tyre.

“Për këta fëmijë po punojmë. Duam atë që na takon dhe nuk dorëzohemi”, u shpreh ai.

Në një qëndrim të përbashkët, grevistët theksuan se protesta e tyre mund të ndalojë, por nuk do të dështojë.

“E rëndësishme është që u thye frika. Me dinjitetin dhe djersën tonë, ne nuk do t’i lëmë të argëtohen mbi vuajtjet tona”, shprehet njëri prej tyre.

“Me para po blejnë çdo gjë. Investitorët e huaj duhet të sillnin zhvillim, por sollën vetëm mjerim. Duhet reagim popullor”, thotë një tjetër.

Në përfundim, grevistët paralajmëruan se protesta do të zhvendoset në Tiranë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat