Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur që të bojkotojë punimet e komisioneve parlamentare, deri në një vendim të dytë, e cili do të merret sot në mbledhjen e grupit parlamentar.
Gazment Bardhi me anë të një mesazhi dërguar deputetëve thekson fillimisht se asnjë deputet nuk duhet të mungojë në mbledhjen e grupit të PD-së.
Në pikën e dytë Bardhi jep ultimatum për të gjithë deputetë që nuk do të shkojnë më në mbledhjet e komisioneve parlamentare në Kuvend.
Ky vendim, bën me dije Bardhi në mesazhin e tij, vjen pasi mazhoranca ka pamundësuar funksionimin normal të jetës parlamentare duke i mohuar opozitës disa të drejta themelore kushtetuese.
“Ky do të jetë një reagim i përkohshëm i grupit parlamentar nisur nga situata e krijuar në seancën e fundit, derisa Grupi Parlamentar të ketë diskutuar dhe marrë një vendim final. Pra, nesër NUK shkojmë në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare”, thuhet në mesazhin e Bardhit.