Mbahet sot në Romë samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri, Rama: Ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare

Shqipëria

Mbahet sot në Romë samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri, Rama: Ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare

Më: 13 nëntor 2025 Në ora: 09:03
Rama e Meloni

Mbahet sot në Romë samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri, qëllimi i të cilit është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh.

Samiti do të nisë punimet mëngjesin e kësaj të enjte (13 nëntor) me një takim dypalësh midis Kryeministrit Giorgia Meloni dhe Kryeministrit Edi Rama, i ndjekur nga një seancë pune plenare me delegacionet përkatëse qeveritare, shkruan rtsh.al.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi mbledhjen e parë të përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, si një ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Kreu i qeverisë shqiptare bëri me dije se 16 marrëveshje të reja bashkëpunimi do të konkludohen sot në Romë, në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me Italinë.

“MIRËMËNGJES dhe me krenarinë për një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t’i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.

Sipas mediave italiane, të dy krerët e qeverive, pritet të nënshkruajnë një marrëveshje ndërqeveritare, e cila do të pasohet nga shkëmbimi i 16 marrëveshjeve të tjera, duke përfshirë marrëveshje qeveritare dhe marrëveshje teknike. Takimi do të përfundojë me deklarata për shtyp gjatë orëve të pasdites.

Gjatë takimit, sipas mediave italiane pritet që Rama dhe Meloni të trajtojnë edhe prioritetet kryesore në axhendën evropiane dhe ndërkombëtare, duke filluar me luftën në Ukrainë. Vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe mbështetjes së Italisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Delegacioni italian përbëhet nga Ministrat Tajani, Piantedosi, Nordio, Crosetto, Gilberto Pichetto Fratin, Giuli, Schillaci, Musumeci dhe Nënsekretarët Freni dhe Ferrante.

Kryeministri Edi Rama udhëtoi një ditë më parë drejt Romës për të marrë pjesë në punimet e samitit që mbahet sot në Villa Doria Pamphilj.

Ky hap institucional tregon vullnetin e Tiranës për të institucionalizuar dhe forcuar marrëdhëniet me Italinë, partner strategjik tradicional. Mbledhja e përbashkët e dy kabineteve dërgon një mesazh të qartë të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, duke e kthyer atë në një agjendë të gjerë dhe të strukturuar bashkëpunimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat