Samiti ndërqeveritar Itali–Shqipëri, i zhvilluar në Romë, ka konfirmuar marrëdhëniet gjithnjë e më të ngushta mes Shqipërisë e Italisë dhe bashkëpunimin e fortë personal e politik mes kryeministrave Giorgia Meloni dhe Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare shkoi deri aty sa të deklaronte se Italia dhe Shqipëria janë si “një vend i vetëm”. Megjithatë, çështja e qendrave të migrantëve italianë në territorin shqiptar vijon të krijojë debate politike dhe juridike.
Në një intervistë për Corriere della Sera, Rama theksoi se Shqipëria ka qenë dhe mbetet krah Italisë edhe në këtë çështje.
“Samiti mes dy qeverive është një zhvillim historik në marrëdhëniet strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë. Hap perspektiva të reja bashkëpunimi në fusha kyçe me interes të përbashkët, si energjia, mbrojtja, siguria e kufijve dhe në planin gjeopolitik”, u shpreh ai.
I pyetur për ecurinë e qendrave për migrantët, Rama u shpreh shkurt se “nuk kam asgjë për të shtuar përtej asaj që ka sqaruar shumë qartë kryeministrja juaj”.
Nëse modeli i këtyre strukturave duhet rishikuar, Rama tha se “zhvillimet e reja në kuadër të Paktit të ri Europian për Migracionin do të tregojnë se ç’rrugë do të ndiqet, duke theksuar se grupi i vendeve të përfshira është i gjerë”.
Lidhur me akuzat për kosto të larta dhe problematika ligjore, ai u përgjigj: “Akuzat janë bërë pjesë e pandashme e realitetit tonë, i mbuluar çdo ditë nga balta e rrjeteve sociale. Informacioni qarkullon me shpejtësi të frikshme dhe e vërteta humbet. Shqipëria nuk ka investuar asnjë euro në këtë projekt, prandaj të paktën në këtë rast nuk mund të akuzohemi si zakonisht”.
Intervista:
– Zoti Kryeministër, në çfarë konteksti të marrëdhënieve Shqipëri–Itali zhvillohet ky takim mes dy qeverive në Romë?
Rama: “Samiti mes dy qeverive është një zhvillim historik në marrëdhëniet strategjike Shqipëri–Itali. Ai hap perspektiva të reja bashkëpunimi në fusha kyçe me interes të përbashkët, si energjia, mbrojtja, siguria e kufijve dhe në aspektin gjeopolitik, pa asnjë dyshim.”
– Është folur shumë për qendrat e migrantëve që Italia po ndërton në veri të Shqipërisë. Në ç’fazë ndodhen këto struktura?
Rama: “Nuk kam asgjë për të shtuar përtej asaj që ka shpjeguar mjaft qartë kryeministrja juaj.”
(Meloni gjatë konferencës për shtyp: “Jo të gjithë kanë kuptuar vlefshmërinë e modelit. Shumë kanë punuar për ta frenuar, por ne jemi të vendosur të ecim përpara”)
– Më lejoni të këmbëngul: funksionojnë këto qendra apo modeli i tyre duhet rishikuar?
Rama: “Paketa e re europiane për migracionin do të tregojë se si do të evoluojnë këto qendra. Grupi i vendeve të përfshira është i konsiderueshëm.”
– Janë bërë shumë akuza për menaxhimin e këtyre qendrave, veçanërisht për shpenzimet e mëdha të kryera për pak migrantë, për të mos folur për çështjet ligjore. Si përgjigjeni?
Rama: “Akuzat janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë, të mbuluar çdo ditë nga balta e pafund e rrjeteve sociale. Shpejtësia marramendëse me të cilën qarkullon informacioni e bën gjithnjë e më të vështirë të dallohet e vërteta. Shqipëria nuk ka investuar asnjë euro në këtë projekt, kështu që të paktën në këtë rast nuk mund të akuzohemi si zakonisht.”
– Cilat janë çështjet kryesore që dy vendet po adresojnë së bashku gjatë këtyre muajve?
Rama: “Integrimi europian i Shqipërisë, në kuadër të asaj që kryeministrja Meloni me të drejtë e quan ‘riunifikim europian’, projektet e përbashkëta infrastrukturore, energjetike dhe ushtarake, si dhe bashkëpunimi kundër trafikut dhe emigracionit të paligjshëm.”
– Anëtarësimi i Shqipërisë në BE ende nuk po konkretizohet. Sa larg jemi?
Rama: “Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar. Po hapim kapitullin final të negociatave dhe synojmë t’i mbyllim ato deri në vitin 2027.”
– Çfarë roli prisni të luajë Italia në këtë proces?
Rama: “Italia është avokati tradicional i Shqipërisë në BE. Ajo është zëri ynë më i fortë në Bruksel. Shqipëria nuk do të mund t’ia shlyejë kurrë Italisë borxhin moral për gjithçka ka bërë për ne. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë këtë.”
– Italia ka kaluar vite ku në nivel europian dukej se kishte pak ndikim, edhe për shkak të paqëndrueshmërisë politike. Si e shihni rolin e saj sot në Bruksel?
Rama: “Giorgia Meloni e ka çuar përfaqësimin e Italisë në një nivel tjetër në arenën ndërkombëtare. Sot në gjithë botën ekziston interesi për të ditur se çfarë mendon kryeministrja italiane për çdo çështje që shqetëson komunitetin ndërkombëtar.”
– Me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe aleancën strategjike Rusi–Kinë–Indi, duket se BE-ja është vënë në vështirësi.
Rama: “Po, është e vërtetë. Por në njëfarë mënyre, këto zhvillime përbëjnë një mundësi të madhe për zgjimin e Bashkimit Europian.”
– Çështja e Ukrainës mbetet e hapur. A ka ardhur koha që Kievi të heqë dorë nga disa territore, siç kërkojnë disa, apo integriteti territorial është kusht i panegociueshëm?
Rama: “Shqipëria e mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës. Asnjë zgjidhje që prek kufijtë e saj sovranë nuk mund të pranohet si përfundimtare. Por është shqetësuese që Europa ende nuk ka një plan të sajin për paqe. Shpresoj shumë që të mos vonojë, jo më shumë se sa zgjat vetë lufta.”