Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka kujtuar sot ish-presidentin e Kosovës dhe kreun e LDK-së, Ibrahim Rrugova, në ditën e lindjes së tij.
Me një postim në Facebook, ndërsa thekson se 2 dhjetori do kujtohet gjithmonë si dita e lindjes së tij, ministrja nënvizon virtytet e ish-presidentit, vlerat dhe rëndësinë që ai pati në politikën kosovare, shtetformimin dhe më gjerë.
“Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundërshtarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme. Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi”, shkruan Spiropali.
Gjoithashtu ajo vlerëson gurët e themelit që ai vuri në pavarësinë e Kosovës:
“Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur. Lindi më 2 Dhjetor, 81 vite më parë. Dhe do kujtohet gjithmonë”.
Postim i plotë i Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali:
“Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet.
Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundërshtarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme.
Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi.
Ibrahim Rugova ishte një Prijës politik e shpirtëror misionar. Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie.
Rugova nuk udhëhiqej nga turmat. Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës. Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar.
Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon.
Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur. Lindi më 2 Dhjetor, 81 vite më parë. Dhe do kujtohet gjithmonë”.