Kush janë “ushtarët” e Belës dhe si Balluku favorizoi familjarët e tyre, nga Ceno Klosi, Dalipaj, deri te Benet Beci…

Shqipëria

Kush janë “ushtarët” e Belës dhe si Balluku favorizoi familjarët e tyre, nga Ceno Klosi, Dalipaj, deri te Benet Beci…

Më: 3 dhjetor 2025 Në ora: 10:36
Foto ilustrim

Për vite me radhë, Belinda Balluku ka ndërtuar një rrjet të ngushtë “ushtarësh” politikë e administrativë, të cilët i ka pasuruar me tendera, leje dhe koncesione, duke përdorur si kamuflim familjarët e tyre. Afera të reja po dalin përditë, por modeli është i vjetër dhe i njohur: të afërmit e “të përzgjedhurve” nga Balluku marrin gjithçka, ndërsa institucionet shtetërore kthehen në fasadë për të firmosur vendime të paracaktuara.

Aferat me Ceno Klosin

Gazeta raportoi pak ditë më parë se SPAK ka regjistruar një procedim penal ndaj Belinda Ballukut tashmë e pezulluar nga drejtësia dhe ish-zëvendësit të saj në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ceno Klosi, aktualisht deputet i Partisë Socialiste dhe njeriu i saj më besnik. Kallëzimi lidhet me një skemë të dyshuar të një grupi të strukturuar kriminal, nën drejtimin e Ballukut dhe Ceno Klosit, të cilat përmes kompanive të tyre private akuzohen se kanë zhvatur fondet publike, pasi rezultojnë përfituesit kryesorë të tenderave që jepnin institucionet që të kallëzuarit drejtonin. Dyshohet se SPAK ka futur në skaner dhe një leje të dyshimtë për park fotovoltaik në Fier, ku fijet të çojnë te Ceno Klosi. Për të fshehur gjurmët dhe lidhjet, Ceno Klosi ka përdorur emra dhe individë të tjerë, por gjurmët e këtyre lëvizjeve të çojnë sërish tek ai dhe familjarët, shkruan "Gazeta Sot".

Përfitimet e familjarëve të Dalipajt

Nga ana tjetër, dosja hetimore e SPAK për aferën e Unazës së Madhe po zbulon një skemë të gjerë ndërhyrjesh, që rrezikon të shembë jo vetëm vendimmarrjet e ministrisë, por edhe perandorinë e ngritur të një tjetër besniku të Ballukut. Komunikimet sekrete, fotot e dërguara në kohë reale dhe qarkullimi i ofertave të kompanive para shpalljes së fituesve tregojnë një proces të kontrolluar deri në detaj nga ministrja dhe vartësit e saj, duke përfshirë edhe garat ku ka përfituar kompania e babait të kreut aktual të OSSH Blendian Dalipaj. Gjithashtu më 2 gusht 2022, Balluku ka shpallur njoftimin për dhënien me koncesion/PPP për Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Milot-Thumanë. Disa muaj më pas, në shkurt 2023 do të shpalleshin fitues bashkimi i kompanive “Gener 2” shpk në pronësi të vëllezërve Ulaj, “Illyrian Consulting Engineers” sh.p.k në pronësi të Olset Haxhiut dhe “I.D.K- Konstruksion” shpk në pronësi të Barjam Dalipaj me afat 35 vite. Sipas kushteve të kontratës, por edhe sipas ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesave, Dalipi nuk mund të fitonte këtë kontratë sepse është person i lidhur duke ngritur pikëpyetje se si Balluku e ka miratuar këtë ofertë nga grupi i kompanive fituese. Duke e ndjerë rrezikun, ministrja e Infrastrukturës ia ka deleguar firmosjen e kontratës zv.ministrit Ami Kozeli, i cili ia ka dhënë në konflikt interesi të mundshëm administratorit të institucionit që është në varësi të këtij të fundit. Por kontrata ka kaluar me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe në fund të dhjetorit 2024, ministrja Balluku ka firmosur në cilësinë e zv.kryeministres duke qenë në konflikt të mundshëm interesi me detyrën. Gjithashtu këtu kemi dhe skandalin e lejes për ndërtimin e parkut fotovoltaik, që sipas raportimeve, është përfituar nga familja e Blendian Dalipit me miratimin e vetë Ballukut.

 Aferat me Benet Becin

Gjithashtu mesazhet e zbuluara në telefonin e Adela Ruko, bashkëshortes së Ervis Berberit, ish-kreut të ARSH-së i arrestuar nga SPAK, kanë çuar në marrjen të pandehur të Benet Becit dhe 6 anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët vepronin pranë Korporatës Elektro-Energjitike Shqiptare. Benet Beci, aktualisht Kryetari i Bashkisë Shkodër, dhe 6 anëtarët e komisionit, Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni, Adela Ruko, Premtim Dauti, janë vënë në hetim për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”,kryer në bashkëpunim. Sipas dosjes hetimore, telefoni i Adela Rukos, është marë për llogari të dosjes hetimore që SPAK ka hapur kundër Ervis Berberit. Por teksa aparati i është nënshtruar eskpertimit kompjuterik, është konstatuar se Adela Ruko, gjatë periudhës së vitit 2019, ka pasur komunikime me Benet Becin, që në atë kohë drejtonte institucionin e KESH-it. Adela Ruko, në këtë kohë ka qenë kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, dhe sipas komunikimeve përmes mesazheve, rezulton që ajo të ketë marë orientime nga titullari i KESH, Benet Beci, dhe bashkëshorti i saj, Ervis Berberi, me qëllim paracaktimin e kompanisë fituase të tenderit me objekt “Zhvillimi i Strategjisë për Sektorin Energjetik”. Ky tender u shpall nga KESH, në 13 janar të vitit 2020 me fond limit të paracaktuar prej 69.5 milionë lekësh ose 695 mijë euro pa tatim mbi vlerën e shtuar. Bashkë me TVSH-në vlera e fondit limit ishte 834 mijë euro. Studimi, i cili do të kryhej në bashkëpunim me profesorë të Universitetit të “Harvardit”, duket se kishte para për të ndarë edhe për dy ish-zyrtarët, të cilët donin jo pak por mbi 40 për qind të fondit, Benet Beci dhe Ervis Berberi, gruaja e të cilit drejtonte komisionit ku do shpallej fituese kompania e miqve të tyre. Në garë pati vetëm një ofertë, që ishte ajo e kompanisë Consulting & Management Albania SHPK në pronësi të biznesmenit Ervis Myftari, e cila ofroi ta kryente shërbimin me vlerën 69.35 milionë lekë pa tvsh ose sa 99.8 për qind e fondit limit. Një ditë pas tenderit, KESH shpalli fituese pikërisht kompaninë e Ervis Myftarit, e cila me sa duket ishte instrumenti që do të ndante paratë sipas formulës 500 mijë për profesorët dhe 330 mijë për ata me dy klasë shkollë. Në një nga SMS-të e gjetura nga prokurorët e SPAK, duke ju referuar tenderit për studimin, Evis Berberi i shkruan Benet Becit: “…500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë…”.

Aferat me drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil

Sipas të dhënave publike, familjarë e afërt të Maksim Et’hemaj, i cili aktualisht është Drejtor Ekzekutiv i Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar kanë përfituar kontrata shtetërore me firmë të vetë Ballukut, duke krijuar një lidhje të qartë interesi midis drejtuesve të Aviacionit Civil dhe projekteve energjetike që ndan Ministria e Infrastrukturës. Në tetor të vitit 2020, është themeluar kompania “GREEN PLUS ENERGY”, me aksionere Eva Kjaer dhe administrator Gjergj Pano. Në pamje të parë, duket si një kompani e zakonshme në fushën e energjisë fotovoltaike. Por hulumtimi tregon se Eva Kjaer është motra e Maksim Et’hemaj, ndërsa Gjergj Pano është vëllai i gruas së tij. Pra, një kompani krejtësisht familjare, me lidhje direkte me një zyrtar të lartë të qeverisë. Më 28 prill 2023, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë miratoi kontratën për “Ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e një centrali fotovoltaik 2 MW në Topojë, Fier”, e firmosur nga vetë Belinda Balluku. Brenda një muaji, leja mori vulën e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), gjithashtu nën varësinë e Ballukut. E gjithë procedura është bërë me një shpejtësi rekord, për një kompani pa eksperiencë, pa tokë në pronësi, dhe me 0 të ardhura të deklaruara. Në bilancin e kompanisë “Green Plus Energy” për vitin 2020, figuron një shumë 34.500.000 lekë e regjistruar si “garanci paraprake për punime”. Por askund nuk identifikohet kush i ka dhënë këto para. Për dy vite me radhë, shuma mbetet e pandryshuar në llogaritë bankare. Vetëm në bilancin e vitit 2023, ajo shfaqet si “hua e dhënë nga kompania 4A-M shpk”, një tjetër subjekt që përfiton tendera publikë nga institucioni ku Et’hemaj ka qenë drejtues. Kompania 4A-M shpk, e cila “dhuroi” 34 milionë lekë kompanisë së motrës së Et’hemaj, ka marrë tre tendera nga ANTA (Albcontrol) me vlerë 500 mijë euro, në periudhën kur drejtori teknik i ANTA-s ka qenë vetë Maksim Et’hemaj. Pra, një model tipik konflikti interesi ku kompania që përfiton tendera nga institucioni ku punon Et’hemaj, më pas financon motrën e tij në një biznes që merr leje nga Balluku. Një tjetër element i rëndë është kategoria e tokës ku është miratuar projekti fotovoltaik në Fier. Sipas dokumenteve, toka është “ranishte” — kategori që nuk lejon ndërtim impiantesh fotovoltaike, sipas ligjit për mbrojtjen e tokës bujqësore dhe mjedisit. Miratimi i këtij projekti nga KKT përbën shkelje të hapur ligjore dhe mund të përbëjë vepër penale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat