“Çfarë fshihet pas këtyre mjegullnajave të Ramës”/ Reagon deputeti Shehu: Projektvendim tinzar

Shqipëria

“Çfarë fshihet pas këtyre mjegullnajave të Ramës”/ Reagon deputeti Shehu: Projektvendim tinzar

Më: 6 dhjetor 2025 Në ora: 13:03
Tritan Shehu

Në një postim në rrjetet sociale, deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu shprehu shqetësimin e tij të fortë për atë që e cilëson si një manovër të fshehtë të Qeverisë për të transformuar spitalin e Përmetit dhe vetë zonën e Përmetit në një qendër pritjeje për emigrantë.

Shehu ngrit pyetje të drejtpërdrejta mbi arsyet pse po shtyhet përpara një projektvendim që, sipas tij, synon hapjen e qendrave të reja për ardhje nga Siria, Gaza dhe Libani, në një kohë kur spitali i qytetit prej vitesh ka nevojë për rikonstruksion, pajisje dhe funksionalizim të plotë në shërbim të qytetarëve.

Sipas deputetit demokrat, ky projekt jo vetëm zhvesh Përmetin nga një shërbim jetik, por hap rrugë për përdorime të tjera të institucionit, të cilat ai i sheh si pjesë të një plani të paqartë dhe të dëmshëm për zonën dhe për Shqipërinë.

Postimi:

Pse Qeveria transformon spitalin e Përmetit dhe Përmetin vetë në qendër për emigrantët?

Pse duhet ky projektvendim tinzar që kërkon të hapë qendra të reja për emigrantët nga Siria, Gaza e Libani, në Qarkun e Gjirokastrës?

Në vend që Spitali i Përmetit të reabilitohet, të bëhet funksional, qoftë edhe i përdorur për qëllime të përcaktuara mjekuese a reabilitative, ky institucion lihet në mëshirë të fatit…
Kërkohet të shkatërrohet tërësisht, për t’u kthyer në një qendër pritjeje emigrantësh…

Dhe absurditeti nuk ka fund, thuhet një pjesë e tij, pra gjysmë “spital” e gjysmë refugjatë!!
Në vend që në Memaliaj të investohet për përmirësimin e jetës së ish-minatorëve, qytetarëve, të rinjve…Projektohet nga Qeveria një investim për një tjetër qendër refugjatësh!
Dhe kjo ndodh kur fluksi i refugjatëve që kalojnë në Shqipëri është ulur ndjeshëm.

Thuhet për refugjatë nga Siria, kur Siria ka hyrë në rrugën e stabilitetit, pra të uljes së numrit të atyre që largohen andej.

Përmendet Libani, në të cilin rivendosja e ligjit po afron me çarmatimin e Hezbollah dhe çmontimin e rolit të kësaj organizate terroriste. Ndërsa Gaza aktualisht nuk përbën ndonjë burim emigracioni, aq më shumë nesër me implementimin e plotë të planit Trump.

Këtej del një pyetje e rëndësishme:

Çfarë fshihet pas këtyre mjegullnajave që Rama e Qeveria po përhapin?

Tingëllojnë si një përgatitje ogurzezë, tip Gebels, për mënxyrat e reja që po hartohen në kurriz të shqiptarëve e Shqipërisë nga kjo Rilindje. E cila është gati të shesë gjithçka, të sakrifikojë çfarë ka më të rëndësishme ky komb për pak pushtet e fitime

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat