Deputeti demokrat Flamur Noka, foli nga foltorja e Kuvendit për raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, ku akuzoi qeverinë për përdorimin e krimit dhe burimeve financiare për të tjetërsuar votën e qytetarëve.
Ai theksoi se raporti e thotë qartë blerjen e votës, presionin qeveritar, përdorimin e administratës dhe patronazhistët.
“Raporti i OSBE-ODIHR është më i rëndi ndër vite në Shqipëri, është ekspertiza që tregon kapjen e shtetit dhe përdorimin e tij për interesa partie. Ryshfet dhe kriminalizim i procesit zgjedhor. ODIHR ja përplasi narkosit në surrat përdorimin e partisë shtet. PS shkatërroi procesin me patronazhimin e saj, shkelja më e rëndë e dokumentit të Kopenhagenit dhe ODIHR”, tha deputeti.
Ai vijoi edhe me përfshirjen e të gjithë qeverisë në zgjedhjet e 11 majit, si dhe të organizatave kriminale, të cilat kërcënonin edhe deputetët opozitarë, si Albana Vokshin në Vorë.
“VKM kanabisi, bonuset, aktivitete që KQZ nuk i kishte parë, të denoncuara nga ne. A është kjo barazi në garë? Jo. Është përdorim i pushtetit nga narkopartia. Raporti flet për blerje të votës, përdorim të krimit të organizuar e karteleve në Durrës, Elbasan, Vorë dhe qarqe të tjera. Grupet kriminale shpërndanë para dhe punuan për interesat e kandidatëve të shtetit. Jeni produkt i karteleve e jo votës së qytetarëve. I kam parë me sytë e mi në Vorë, kur kërcënonin deputeten Albana Vokshi”, tha ai.
Për Nokën raporti ishte i qartë, pasi fliste për partinë shtet, duke denoncuar edhe patronazhistët.
“Raporti i OSBE është i qartë, punonjësit e administratës morën pjesë në aktivitete elektorale, patronazhim i saj, u futën të gjitha institucionet, punësime, tendera, leje ndërtimi, ndihmë ekonomike, që u përdorën si instrument politik. Shtet patronazhist, narkoshtet, me presion sistematik e pacienti të sëmurë, familjeve në nevojë. Këto janë alarm, tregues i procesit të deformuar, kontrolluar nga narkosi tërësisht”, u shpreh ligjvënësi.
Në fund ai ngriti pyetjen nëse këto mund të ishin zgjedhje të lira dhe e mbylli duke parashikuar fundin e mazhorancës.
“A mund të quhen këto zgjedhje të lira e të ndershme? Jo, kurrën e kurrës. Ishin në dorën e narkosit të gjitha, nën kontroll politik. Me megafonët tuaj dhe media që i paguat me taksat e shqiptarëve, nuk e themi ne por raporti i ODIHR. Po ju vjen ngordhja politike”, përfundoi Noka.