Jepnin para me fajde në dy pikat e tyre “Exchange” në Tiranë dhe Gjirokastër, prokurporia vendore merr nën akuzë edhe për “fshehje të të ardhurave” 4 të dyshuarit, dy prej tyre vëllezër, së bashku me dy djemtë.
Policia arrestoi dje 3 prej tyre, banues në Lazarat, ndërsa shpalli në kërkim një të katërt, teksa sekuestroi dokumente dhe shuma të konsiderueshme në lekë dhe valutë. Operacioni u kodua “Trace the flow”.
“Nga 2 subjektet dhe nga banesat e këtyre shtetasve, u sekuestruan: 26 963 200 lekë, 132 760 euro, 42 596 dollarë amerikanë, 8 780 paunde, 10 380 franga, 3145 dollarë kanadezë, 85 720 lira turke, 18 blloqe me shënime, 6 kompjuterë, 6 celularë dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimit”, sqaroi policia.
Prokuroria dha edhe njoftim zyrtar sot për hetimin e kryer.
Aksioni erdhi si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, për provimin e një rasti të pastrimit të parave me burime të dyshimta, nëpërmjet huadhënies së tyre, me përqindje të lartë fitimi, si dhe nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiar.
“Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasi R. K., 56 vjeç, vëllai i tij, shtetasi L. K., 59 vjeç, si dhe djali i 59-vjeçarit, shtetasi P. K., 28 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i 56-vjeçarit, shtetasi B. K., 27 vjeç, të katërt banues në fshatin Kordhocë, Lazarat”, bëri me dije policia.