Detaje të reja janë zbuluar nga skema e dyshuar e falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës në Bashkinë e Tiranës, e cila po hetohet nga Prokuroria e Kryeqytetit që ka vënë nën masë disa vartës e bashkëpunëtorë të afërt të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj.
Sipas dosjes hetimore, dy kompani kishin marrë përsipër shembjen e 6 pallateve të dëmtuara, por në dokumentacionin zyrtar rezultonin të deklaruara 15 objekte, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit.
Hetimet tregojnë se zyrtarët e përfshirë nuk kanë ndjekur procesin e demolimit në terren, por janë mbështetur vetëm në shkresa dhe raporte të paraqitura nga subjektet kontraktuese. Në dëshminë e tij, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Aurel Çuko, ka deklaruar se sheshi i punimeve iu dorëzua sipërmarrësve dhe mbikëqyrësve, ndërsa në proces kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Tiranë.
Para prokurorisë ka dëshmuar edhe Aurel Boriçi, drejtor në Drejtorinë e Emergjencave Civile, i cili ka pohuar se nuk e mban mend saktësisht nëse një nga objektet ishte shembur si pasojë e tërmetit të vitit 2019, por ka konfirmuar se mbetjet ndërtimore janë evaduar nga subjekti sipërmarrës pas dorëzimit të sheshit të ndërtimit.
Prokuroria ka administruar edhe dëshmitë e përfaqësuesve të kompanive të kontraktuara, të cilët kanë pranuar se puna reale ka përfshirë vetëm shembjen e 6 pallateve. Njëri prej tyre ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt në projekt, duke ia atribuar të gjithë procesin bashkëpunëtorit të tij, Shyqyri Maloku. Ky i fundit, në dëshminë para hetuesve, ka konfirmuar se ka realizuar vetëm demolimin e 6 objekteve, duke rrëzuar përfundimisht pretendimet zyrtare dhe duke nxjerrë në pah mekanizmin e skemës së dyshuar abuzive.