Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, bëri të ditur me anë të një postimi në rrjetet sociale, takimin me kongresmenin amerikan Clay Higgins.
Balliu thekson se në takim u diskutua bashkëpunimi mes karteleve të drogës dhe politikës, si dhe ndikimi i parave të pista në ekonomi, veçanërisht në ndërtim dhe turizëm.
Sipas Balliut, kongresmeni Higgins theksoi mbështetjen e plotë të SHBA-ve në luftën kundër narkotrafikut dhe krimit të organizuar. Në fokus të bisedës ishin gjithashtu problematikat e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe, sipas tij, përdorimi politik i tij ndaj opozitës.
Postimi i Balliut:
Gjatë takimit me kongresmenin amerikan Clay Higgins, Kryetar i Nënkomitetit për Zbatimin e Ligjit Federal, pata mundësinë të diskutoj lidhur me bashkëpunimin e karteleve të drogës me politikën, si dhe ndikimin e parave të pista në ekonominë kombëtare, veçanërisht në sektorët e ndërtimit dhe turizmit. Kongresmeni Higgins theksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht luftën kundër narkotrafikut dhe krimit të organizuar, dhe kjo mbështetje përbën një motivim të rëndësishëm për betejën tonë kundër narkoshtetit.
Gjithashtu, diskutimi përfshiu sfidat e funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ku segmente të caktuara përdoren si instrument për të ushtruar presion politik ndaj opozitës dhe shpesh nuk reagojnë ndaj organizatave kriminale.
Ky takim nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të mbështetjes institucionale për të garantuar sundimin e ligjit, luftën e pandalshme kundër narkoshtetit dhe rikthimin e transparencës dhe integritetit në institucionet e vendit.