Mes frikës dhe izolimit, sot 250 familje të ngujuara nga vetëgjyqësia

Shqipëria

Mes frikës dhe izolimit, sot 250 familje të ngujuara nga vetëgjyqësia

Më: 12 shkurt 2026 Në ora: 11:22
Foto ilustrim

Vetëgjyqësia vijon të mbetet një nga plagët sociale më të ndjeshme në Shqipëri, duke mbajtur të izoluara qindra familje.

Për këtë temë u diskutua në emisionin e sotëm, 12 shkurt, në “Aldo Morning Shoë”, në Tv Klan, ku ishte i ftuar dhe Gjin Marku, Kryetar i Komitetit për Pajtimin Kombëtar.

Marku u shpreh se aktualisht, rreth 250 familje jetojnë në ngujim, të privuara nga liria, arsimi dhe jeta normale për shkak të konflikteve të trashëguara dhe mungesës së zgjidhjeve përfundimtare.

“Ke 250 familje të paktën, se mund të jenë dy-tre të tjera të kohëve të fundit që kanë probleme, që na kanë ardhur sinjalet. Por, mund të jenë 255 gjithsej, por 250 janë të sigurta që ato janë në ekstrem të marrëdhënieve mes tyre. I thonë 1 mijë persona. 1 mijë persona nën risk”, u shpreh Marku.

Por, ku jetojnë këto familje? Sipas Markut, trendi paraqitet që ata të jetojnë në metropole, por të “maskuar”, pra me identitet plotësisht të ndryshëm, si formë për vetëmbrojtjeje. Gjithashtu ka dhe nga ata persona të cilët jetojnë në zona të thella, por numri i tyre është më i pakët. Fëmijët e këtyre familjeve, pavarësisht se gëzojnë identitet të ri, nuk bëjnë dot një jetë normale, pasi nuk kanë mundësinë të arsimohen.

“Këta jetojnë zakonisht në metropole dhe ka ndonjë që jeton në zona të thella. Mund të jetë ndonjë nga këta që shkon në jug, por zakonisht trendi është drejt metropoleve, ku gjejnë mundësinë për të shkuar të maskuar. Madje fëmijët e tyre nuk shkojnë në shkollë, por i ndihmojnë prindërit me punë të ndryshme dhe qëndrojnë të maskuar”, tha ai.

Sipas Markut, qarku Tiranë është një ndër destinacionet kryesore të këtyre familjeve.

“Absolutisht, i ke në Kamëz, i ke tek Blloku, i ke kudo”, tha ai.

“Vijnë në Tiranë, në Durrës, në Fier”, shton ai.

Një nga arsyet më madhore të gjakmarrjes është “çështja e nderit”. Bëhet fjalë për “nderin” e vajzës e të familjes së saj. Marku sqaron se cenim nderi është dhuna apo trafikimi i vajzës, lidhjet e papranueshme për familjen, si dhe fejesa e prishur nga ana e djalit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat