Çarje në argjinaturën e Shkumbinit në Labinot Fushë, situata nën kontroll pas ndërhyrjes emergjente

Shqipëria

Çarje në argjinaturën e Shkumbinit në Labinot Fushë, situata nën kontroll pas ndërhyrjes emergjente

Më: 16 shkurt 2026 Në ora: 09:29
Ilustrim

Reshjet intensive të ditëve të fundit shkaktuan një situatë problematike që u evidentua një ditë më parë në fshatin Labinot Fushë, pas çarjes së një pjese të argjinaturës së vjetër që mbron tokat bujqësore, rreth 200 banesa të zonës si dhe pompat e furnizimit me ujë të qytetit të Elbasan.

Banorët njoftuan menjëherë për rrezikun e krijuar, ndërsa strukturat e Emergjencës Civile pranë Bashkisë reaguan në kohë reale duke nisur ndërhyrjen në terren për stabilizimin e situatës.

Argjinatura, e ndërtuar në vitet ’80 dhe e dëmtuar herë pas here nga prurjet e larta të Shkumbin, një prej lumenjve kryesorë që përshkon territorin e Bashkisë së Elbasanit dhe ndikon drejtpërdrejt në zonat bujqësore e infrastrukturën mbrojtëse, pësoi një rrëshqitje që rrezikoi përkeqësimin e saj. Gjatë gjithë natës u morën masa paraprake për të parandaluar zgjerimin e çarjes, ndërsa situata u mbajt nën kontroll.

Që në orët e para të mëngjesit, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, në bashkëpunim me Bordin e Kullimit dhe strukturat e Emergjencës Civile, vijoi punën intensive në terren.

Aktualisht po vendosen rreth 300 blloqe betoni për mbushjen dhe përforcimin e argjinaturës.

Të gjitha mjetet dhe forcat janë të përqendruara në zonë, ndërsa autoritetet konfirmojnë se nuk paraqitet situatë emergjente për banorët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat