Kaosi me rrugët ka sjellë problematika edhe tek mijëra udhëtarë shqiptarë që duan të lëvizin nga një qytet në tjetrin me linjat interurbane.
Bllokimi i aksit Librazhd–Pogradec ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta edhe në transportin ndërqytetas, ku qytetarët tani po përballen me rritje të çmimit të biletave.
Nëse më parë për të udhëtuar drejt Tiranë paguanin 700 lekë të reja, tashmë çmimi ka shkuar në 1000 lekë të reja për një biletë.
Qytetarët shprehen të shqetësuar për koston e shtuar, duke theksuar se “për shumë familje kjo rritje është e papërballueshme”.
Megjithatë, shqetësimi më i madh i qytetarëve është se kjo rritje mos mbetet e përhershme edhe pas normalizimit të situatës.
Nga ana tjetër, shoferët shprehen se rritja e çmimit të biletës ka ardhur si pasojë e zgjatjes së kohës së rrugës, konsumit më të lartë të karburantit dhe amortizimit të mjeteve.
Sipas tyre, udhëtimi tashmë zgjat disa orë më shumë se zakonisht.
Furgonat që lidhin juglindjen me kryeqytetin janë detyruar të ndryshojnë itinerar, duke kaluar nga aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, ç’ka ka zgjatur ndjeshëm kohën e udhëtimit.
Devijimi përmes këtij segmenti, i cili është më i ngushtë dhe me shumë kthesa dhe mbi të gjitha i dëmtuar, ka rritur ndjeshëm kostot operative, sipas dëshmive të shoferëve, duke i detyruar që të rrisin edhe çmimin e biletës.