“Sigurisht që do të ketë revoltë”, çfarë paralajmëron Berisha për protestën e sotme pa fjalime: Kryengritja jonë…
Kreu i Demokratëve Sali Berisha ka folur për protestën e sotme përpara Kryeministrisë, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjete sociale.
Elion Kaja: Përshëndetje lider historik. A do të ketë rezistencë sonte? A do të vazhdojmë të përballemi me të gjitha për të gjitha se shqiptarët janë gati më shumë se kurrë për përballje dhe qëndresë?
Sali Berisha: Faleminderit dhe të përshëndes përzemërsisht. Sigurisht që do ketë revoltë. Kryengritja jonë paqësore do njohë dimensione të reja dhe është pandalshme gjer në largimin përfundimtar të Edi Ramës.
Dhe ju e patë se si në fjalën e tij tejkaloi edhe kohëzgjatjen e fjalimeve të Gedafit dhe Fidel Kastros në OKB. Por në fakt, në qoftë se e rikthen pak, kishin përpara shqiptarët një kufomë politike të pakallur.
Kështu që ne do ta kallim atë dhe do i japim vendin që meriton.
Protesta e opozitës përpara Kryeministrisë, policia njoftim zyrtar: Nuk marrim përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 28.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Nisur nga incidentet e ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm, ku u evidentuan akte dhune dhe përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj punonjësve të Policisë, pjesëmarrja e personave të maskuar dhe përdorimi i të miturve në tubim, si dhe nga informacionet e siguruara mbi mundësinë e përsëritjes së veprimeve të tilla, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik se nuk merr përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.
Pavarësisht përgjigjes së kthyer, Policia e Tiranës, në përmbushje të detyrave funksionale, ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës, mbrojtjen e institucioneve shtetërore, si dhe për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, në rast se tubimi do të zhvillohet.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që, nëse ndeshen me veprime të dhunshme, të distancohen dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë.