Xhuana Nikollaj, vetëm 25 vjeç, humbi jetën tragjikisht të martën e 10 Marsit pasi konsumoi lëndë helmuese fostoksinë. E dje ajo është përcjellë për në banesën e fundit, lajm ky i bërë i ditur nga një i afërm i saj, xhaxhai përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.
“Sot u nise për në banesën e fundit, moj mbesa ime e dashur, Xhuana Nikollaj. Jetove veç 25 vjet, moj e bukura e axhës, dhe na shkaktove plagë të thella, moj vajzë”, ka shkruar mes dhimbjes Vasil Nikolla.
Kujtojmë se më parë nga është raportuar se ndaj Xhuanës, e cila ishte martuar gjatë verës së kaluar, ishte ushtruar dhunë nga bashkëshorti, Eraldo Fizi, tashmë i shpallur në këkrim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Sipas policisë, dyshohet se dhuna e ushtruar ndaj 25-vjeçares mund të ketë qenë një nga shkaqet që e çuan atë drejt aktit fatal. Ndërsa sipas dëshmive të personave që pretendojnë se e njihnin situatën, mes çiftit kishte pasur episode të përsëritura dhune. “Ai e ka dhunuar dhe e ka përndjekur vazhdimisht. Kishin qenë të martuar, por më pas janë ndarë. Vajza jetonte në Lezhë dhe pas ndarjes u largua drejt Tiranës, ndërsa ai e ka ndjekur edhe atje”, janë shprehur dëshmitarë për JOQ, ndërkohë që e reja e kishte njohur atë që kur ishin adoleshentë.
Përpara se të ndërmerrte aktin fatal 25-vjeçarja u kishte shkruar një letër prindërve të saj përmes së cilës kishte shkruar se nuk donte më që ata njerëz që i kishin bërë keq të vazhdonin ta lëndonin. Ndërsa në fund të letrës së shkruar ajo u kërkonte ndjesë nënës dhe babait të saj.
Edhe ekzaminimet mjekësore kanë konstatuar shenja të rënda dhune në pjesën e kokës, fytyrës dhe në njërin krah të viktimës Xhuana.