I ftuar në një studio televizive, analisti Ben Andoni komentoi vendimin e mazhorancës për të mos miratuar kërkesën e SPAK për masë sigurie ndaj deputetes Belinda Balluku, duke e lidhur atë me ekzistencën e dy standardeve në raportin mes politikës dhe drejtësisë.
Sipas Andonit, rasti i Ballukut është më kompleks për shkak të funksioneve që ajo mban në politikë dhe në qeveri, ndërsa vendimi i mazhorancës ka kufizuar mundësinë që hetimi të shkojë më tej.
“Çështja e zonjës Balluku ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për t’u shqyrtuar, sepse ajo jo vetëm ishte zëvendëskryeministre dhe kishte funksion të fuqishëm ekzekutiv në qeverinë e zotit Rama, por mbart edhe funksionin e deputetes. Këtu futet gjithmonë Këshilli i Mandateve që vendos nëse duhet t’i jepet apo jo akses drejtësisë.”-tha analisti.
Analisti vlerësoi se mazhoranca ka përdorur një qasje të ndryshme krahasuar me raste të tjera të figurave të njohura politike që janë përballur me hetime nga drejtësia.
Ai solli në vëmendje rastet e Ilir Meta, Arben Beqaj dhe Erion Veliaj, duke theksuar se ndaj tyre nuk është treguar i njëjti kujdes politik.
“Ky lloj kujdesi nuk është përdorur për zotin Beqaj, nuk është përdorur për zotin Veliaj dhe mbi të gjitha nuk është përdorur për ish-presidentin Ilir Meta. Ndërsa për zonjën Balluku ka pasur një regjistër krejt tjetër.”- shtoi Andoni.
Andoni vlerësoi se vota e mazhorancës në Kuvend i ka kufizuar hapësirën SPAK për një hetim më të thelluar. Sipas tij, edhe pse mbrojtja politike mund të ndikojë në procesin institucional, figura e Ballukut përballet me një presion tjetër në sytë e publikut.